Viti 2022 është vit zgjedhor në Federatën e futbollit të Kosovës, ku do të zgjidhet kryetari me mandat të ri katërvjeçar.
Më 2 mars, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpalli zgjedhjet për kryetar të cilat do të mbahen më 6 prill.
“Meqenëse ky vit është vit zgjedhor për president të FFK-së, KE diskutoi dhe vendosi në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për president”.
“Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë, ndërsa për kohën dhe vendin e mbajtjes së Kuvendit, delegatët do të njoftohen në ditët në vazhdim”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kush janë kandidatët?
Deri më tani zyrtarisht dihen tre kandidatë për kryetar të FFK-së: Agim Ademi, Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti.
Ademi e ka udhëhequr FFK-në në katër vitet e fundit prej vdekjes së ish-kryetarit Fadil Vokrri.
Remzi Ejupi njihet si njëri prej aksionarëve më të mëdhenj në klubi Prishtina dhe tash e disa vite kërkon të zgjidhet në krye të FFK-së dhe shihet si opozitë e saj.
I fundit është Arianit Ahmeti, i cili ka punuar më parë në FFK si zëvendës-sekretar, por që ishte larguar nga puna nga drejtuesit aktual të shtëpisë së futbollit.
Që atëherë edhe Ahmeti është opozitë e drejtuesve aktual të FFK-së.
Sa delegat janë dhe sa vota të tyre duhet për të paraqitur kanididaturën?
Në Kuvend që do të mbahet më 6 prill përveç, kryetarit aktual, ftohen edhe anëtarët e nderit. Po ashtu në Kuvend janë të pranishëm edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK- dhe kryesuesit e organeve dhe trupave statutare.
Por rëndësinë më të madhe e kanë 59 delegatët që kanë të drejtë vote në Kuvend.
Çdo klub i Superligës së Kosovës ka dy delegatë (dy vota), që i vije gjithsej 20 delegatë nga elita e futbollit. Klubet e Ligës së Parë kanë nga një delegat (gjithsej 20 delegatë).
FFK ka shtatë Lidhje Rajonale të Futbollit, që kanë nga dy vota secila (me kusht që njëri nga përfaqësuesit e lidhjes të jetë anëtarë i Ligës së Dytë). Pra nga Lidhjet Rajonale të Futbollit vijnë 14 delegatë.
Të drejt vote ka edhe Kryetari aktual i FFK-së (1 votë), ndërsa nga një delegatë e kanë edhe Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës (SHGJK), Shoqata e Trajnerëve të Kosovës (SHTK), Shoqata e Futbollit të vogël (Futsall) (SHFV) dhe Përfaqësuesi i zgjedhur nga futbolli i femrave.
Pra gjithsej edhe pesë vota të tjera, që e qojnë numrin në gjithsej 59 delegatë me të drejt vote.
Secili nga kandidatët për të paraqitur kandidaturën i duhen gjithsej 15 nënshkrime të delegatëve të lartcekur.
Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm?
Siç e cekëm më lartë, secili kandidatë duhet të paraqesë 15 nënshkrime të delegatëve për të marr pjesë në garën e madhe për kryetar.
Telegrafi ka mësuar se kryetari aktual, Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar, pasi ka mbledhur mbi 45 nënshkrime të delegatëve me të drejt vote.
Ai gjatë këtyre ditëve pritet që t’i deponojë nënshkrimet te Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së.
Duke e ditur që janë 59 delegatë dhe secili ka të drejt vetëm një nënshkrim, atëherë kjo ua pamundëson Remzi Ejupit dhe Arianit Ahmetit që të kenë më shumë se 15 nënshkrime.
Telegrafi mëson që shumica e klubeve të Superligës së Kosovës, por edhe ato të Ligës së Parë ia kanë dhënë besimin edhe për një mandat Ademit.
Tashmë mbetet që të mbahen zgjedhjet në prill dhe të zyrtarizohet kryetari për një mandat katërvjeçar. /Telegrafi/