Tre lojtarët e Interit që mund të ekspozojnë dobësitë e Liverpoolit – këto pozicione mund të jenë vendimtare në ndeshje

Shumë ekspertë e shohin Ivan Perisicin si lojtarin kyç të Interit kundër Liverpoolit sonte, por edhe Marcelo Brozovic dhe Edin Dzeko mund të jenë gjithashtu të rëndësishëm për të ekspozuar dobësitë që kanë ‘The Reds’.

Nerazzurrët janë kualifikuar në raundin e parë të eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve për herë të parë pas dhjetë vitesh dhe fillimisht e presin sot Jurgen Kloppin në “Guiseppe Meazza”.

Simone Inzaghi i gëzohet rikthimit të Alessandro Bastoni, ndërsa Arturo Vidal do të zëvendësojë të pezulluarin Nicolo Barella.

Dënimi i mesfushorit italian është një goditje e madhe për kampionët e Serie A, pasi Barella ka arritur të shënojë dy gola dhe të japë tetë asistime në 31 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon. 25-vjeçari do ta kishte ndihmuar Interin të përballonte presionin dhe intensitetin e Liverpoolit në mes të fushës, por Inzaghi ka mundësi të tjera për të shkaktuar telashe për Jurgen Kloppin.

Paolo Di Canio dhe Claudio Ranieri kanë thënë që Ivan Perisic mund të jetë një lojtar kyç për Nerazzurrët sonte pasi ai mund të shfrytëzojë sa më shumë boshllëqet e lëna në prapavijë nga Trent Alexander-Arnold.

Ish-mesfushori i Interit dhe Liverpoolit, Paul Ince gjithashtu theksoi sesi mbrojtësi anglez mund të ekspozohej për shkak të prirjeve të tij për të sulmuar. përpara.

“Mbrojtësit e krahut të Interit mund të shkaktojnë telashe për Andy Robertson dhe Trent Alexander-Arnold, të cilët mund të lënë boshllëqe në mbrojtje. Denzel Dumfries është përmirësuar dhe Ivan Perisic është i sigurt. Interi ka cilësi kudo”, ka thënë Ince për La Gazzetta dello Sport.

Ranieri gjithashtu pohoi se Interi do të ‘duhet të lëvizë topin shpejt’, ndaj paraqitja e Marcelo Brozovic do të jetë vendimtare për Nerazzurrët.

Reprezentuesi kroat ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon dhe është zhvilluar shumë gjatë dy viteve të fundit. Di Canio tha diçka të ngjashme në intervistën e tij në Tuttosport, duke shpjeguar se Interi duhet “të jetë në gjendje të mbajë topin në gjysmën e Liverpoolit, duke mbajtur një sy në kundërsulmet e tyre”.

Edin Dzeko është lojtari i tretë i Interit që mund të krijojë telashe për Liverpoolin sonte. Beteja me Virgil van Dijk është vendimtare me shumë mundësi.

“Van Dijk është jetik për Liverpoolin, por ai nuk është i njëjti lojtar që ka qenë”.

“Ai ishte perfekt në ndaljen e kundërsulmeve të kundërshtarëve, por tani ai kapet nga pozicioni ndonjëherë dhe është i ngadalshëm në lëvizje të caktuara”.

“Ai ankohet edhe te shokët e tij të skuadrës dhe megjithëse mbetet një lider absolut, Interi duhet të jetë i mirë në plotësimin e boshllëqeve mbrojtëse të Liverpoolit”,  ka thënë Di Canio të martën.

Dzeko ka shënuar tre gola në tre ndeshjet e tij të fundit dhe kundër The Reds do të jetë në kërkim të të katërtit radhazi.

Partneri i tij sulmues Lautaro Martinez nuk ka arritur të gjejë rrjetën në 12 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Goli i tij i fundit daton në nëntor 2020 kundër Real Madridit. /Telegrafi/