Thomas Tuchel acarohet në konferencë për shtyp – “Duhet t’i ndaloni pyetjet për luftën, unë nuk jam politikan”

Vëmendja e gjithë botës në këto momente është e gjitha e zhvendosur tek lufta që po ndodh në Ukrainë, ku Rusia ka dërguar trupat ushtarake duke shkaktuar dëme të mëdha edhe në aspektin njerëzor.

Edhe bota e futbollit nuk mund t’i shmanget konfliktit në Ukrainë, ndërsa ka pasur mesazhe paqeje në të gjitha ndeshjet në kampionatet kryesore të Evropës.

Ndërkohë, protagonist së fundmi në lidhje me temën e luftës është bërë trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel i cili duket se është lodhur nga pyetjet e gazetarëve të cilat nuk kishin lidhje me futbollin.

Ai ka theksuar se nuk është politikan për të komentuar mbi ngjarjet e fundit që po ndodhin në Ukrainë.

“Më dëgjoni ju lutem, tani duhet të ndaloni me këto pyetje. Unë nuk jam një politikan, unë mund ta përsëris se ndihem keq për atë që po ndodh”.

“Nuk kam përjetuar asnjëherë luftën, ndaj edhe të flas për të ndihem i privilegjuar teksa jam këtu duke qëndruar në paqe”.

“Unë bëj më të mirën, por duhet të ndaloni me këto pyetje sepse nuk kam asnjë përgjigje”, ka thënë Tuchel. /Telegrafi/