Mësohen ekipet e ‘play-offit’ në turneun ESL Pro League në CS:GO

Pas shumë ndeshjeve të forta të grupeve, më në fund janë mësuar ekipet të cilat do të përballen në ‘play-off’ të ESL Pro League.

Shumë përballje të forta për katër javë u zhvilluan në turneun, i cili po mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë, ku do të ndahen çmime në vlera rreth 750.000 euro.

Befasia më e madhe ishte ekipi Movistar Riders, të cilët arritën të fitojnë të gjitha ndeshjet në grupin C, duke kryesuar në tabelë.

Një sukses të tillë e arriti edhe ekipi favorit Na’Vi, të cilët fituan të gjitha pesë ndeshjet e tyre në grupin D, edhe pse tri prej tyre i zhvilluan në mungesë të kapitenit Boombl4.

Katër ekipet e para të grupeve kanë siguruar një vend direkt për në çerekfinale, ndërsa tetë ekipe të tjera të cilat renditeshin në vendin e dytë dhe të tretë në grupe do të përballen për një vend në çerekfinale.

Këto tetë ekipe do të përballen ditën e martë dhe të mërkurë, ndërsa çerekfinalet do të luhen ditën e enjte dhe të premte gjatë kësaj jave.

Përballja më e fortë pritet të jetë ajo midis fituesit të turneut të fundit Faze dhe ekipit Players, ku fituesi do të takohet me ekipin e Na’Vi në çerekfinale.


Ndeshjet e raundit të 12

Heroic – Liquid

fnatic – ENCE

Entropiq – Astralis

FaZe – Players


Ndeshjet e çerekfinaleve

NIP me fituesin e ndeshjes Heroic / Liquid

Movistar Riders me fituesin e ndeshjes fnatic / ENCE

FURIA me fituesin e ndeshjes Entropiq / Astralis

Natus Vincere – me fituesin e ndeshjes FaZe / Players


/Telegrafi/