
Liverpulli është gati të ‘sulmojë’ një klub të Bundesligës, pasi ata po kërkojnë një zëvendësues afatgjatë të qendërmbrojtësit Joel Matip. Matip ka të ngjarë të humbasë pjesën tjetër të sezonit me “The Reds”, pasi menaxheri Jurgen Klopp ka konfirmuar se qendërmbrojtësi pësoi një dëmtim të rëndë në gju.
Kamerunasi, i cili iu bashkua Liverpullit nga skuadra gjermane Shalke shtatë vjet më parë, është në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin nga “Anfield”-i dhe ka bërë 201 paraqitje në të gjitha garat duke shënuar 11 gola. “The Sun” pohon se trajneri Klop tani është në treg për një zëvendësues dhe mbrojtësi i Volfsburgut, Maksence Lakroa dhe ai i Kristal Pallasit, Mark Guehi, shihen si alternativa.
Lakroa ka qenë në Bundesligë që nga viti 2020, kur iu bashkua Volfsburgut nga Sosho në vitin 2020. Klubi gjerman thuhet se do të donte 30 milionë funte apo rreth 35 milionë euro për shërbimet e tij pasi i kanë mbetur vetëm 18 muaj në kontratë. 23-vjeçari, i cili është një nga lojtarët më të shpejtë në Bundesligë, mund të operojë edhe si mbrojtës i djathtë.
Gjermania është dëshmuar një terren i mirë gjuetie për Reds në vitet e fundit, me klubin nga Anfield që ka rekrutuar Matip dhe Ibrahim Konate nga Bundesliga në të kaluarën, si dhe nënshkrimet e verës Dominik Szoboszlai dhe Vataru Endo.


