“Zhan Mitrev klinika”, skandali që mbulon të gjitha skandalet ballkanike?!
Dokumentari, ose më saktë, storia hulumtuese “Gjaku i papastër”, e ekipit të gazetarëve të Laboratorisë Hulumtuese Reportereske, mëton të zbulojë një nga skandalet më të mëdha, ndoshta më të madhin dhe më shokuesin të bërë ndonjëherë në historinë e gazetarisë në vendin tonë. Ai godet, në shumë nivele, hiq më pak, po klinikën më të njohur private të Kardiologjisë, Zhan Mitrev, deri tash sinonim i arritjes kulminante në fushën e mjekësisë dhe ndër vite, reputacion ky i dëshmuar me mijëra pacientë të trajtuar me sukses.
Por, dokumentari çuditërisht zbulon një të vërtetë tjetër, të errët, se prapa brendit dhe imazhit pozitiv, qëndron një mashtrim i madh! Krejt hulumtimi, si në shembujt klasikë të storieve hulumtuese, niset nga një rast, nga një dyshim për trajtim joadekuat të një pacienti të vdekur nga kovidi 19, për të hyrë thellë e më thellë, e për të zbuluar gjëra shokuese. Tema bosht është metoda që klinika e kirurgut Zhan Mitrev e aplikoi te shumë pacientë të infektuar me kovid 19, hemofiltracioni. Është fjala për “zëvendësimin” e gjakut të infektuar, me gjak të pastër, që presupozonte se kështu pastrohej edhe virusi. Ky ishte një inovacion në trajtimin e pacientëve në valën e madhe të pandemisë, një shpresë për pacientët se kështu do të shpëtonin jetën. Klinika e reklamonte këtë si një sukses të madh. Por, një familje(Brezev), kishte shprehur dyshimet dhe ngre inciativë për të parë kushtet e vdekjes së të afërmit të tyre. Dokumentari në mënyrë tejet ilustrative nga rrëfimet e familjarëve përshkruan “ecurinë” e pavolitshme të shëndetit, duke marrë faza-faza nga një bakterie të re “interklinike”, gjë të cilën klinika e Zhan Mitrevit e ka fshehur dhe nuk e ka ndërprerë këtë metodë, për të cilën merrte nga disa mijë euro, përkundër faktit që në një hulumtim të bërë nga vetë dr.Zhan Mitrevi, pikërisht këto bakterie paraqiten si shkaktarë të vdekjes edhe te pacientë të tjerë. Për më tepër, ekipi hulumtues i gazetareve, nxjerr në pah edhe statistikën se rastet e vdekjes te kjo klinikë kanë qenë më të mëdha se në klinikat shtetërore.
Ekipi i gazetareve, të udhëhequra nga Sashka Cvetkovska, nuk nxjerr në pah vetëm manipulimin me metodën e hemofiltracionit, i cili në kohën kur është zbatuar te klinika e Zhan Mitrevit ka qenë në fazën ekpserimentale, por dhe shumëçka të rrejshme dhe të manipuluar nga vetë mjeku: që nga titulli i tij akamdemik(fituar nga një akademi e palicencuar bullgare), e deri te shumë mirënjohje e çmime që mjeku i ardhur nga Gjermania, nuk i ka fituar, por i ka vlerë!
Ky skandal, nga ajo që mund të shihet nga filmi dokumentar një orësh, që u shfaq edhe në Televizonin e Maqedonisë të dielën, mund t’i mbulojë të gjitha skandalet e mëdha në rajon, si ajo e “Agrokorit” në Kroaci ose e “inceneratorëve” në Shqipëri, sepse këtu është bërë një keqpërdorim në dëm të shëndetit të dhjetëra pacientëve, të cilëve jo vetëm që nuk u ka ndihmuar kjo metodë e paverifikuar, por i ka vënë në rrezik, e në anën tjetër të manipulimit, qëndrojnë edhe paratë, më saktë 17 milionë euro fitim gjatë pandemisë.
Vërtet një hulumtim i jashtëzakonshëm që do të hyjë në analet e gazetarisë, kurse epilogu i gjithë aferës nuk mund të parashikohet.