Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar Rusinë për “krime kundër njerëzimit”, pasi një breshëri e re raketash shkaktoi ndërprerje të energjisë, ngrohjes dhe ujit në të gjithë vendin.

Nëpërmjet një video-lidhje, ai i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se si pasojë e terrorit rus në vendin e tij, miliona njerëz kanë mbetur pa energji, pa ngrohje e pa ujë, në temperatura nën zero gradë Celsius.

Sipas zyrtarëve ukrainas në sulmet e fundit kanë humbur jetën të paktën shtatë ukrainas dhe centralet bërthamore kanë dole jashtë linjës.

Siç raporton BBC-ja, tri centrale që janë ende nën kontrollin ukrainas u shkëputën nga rrjeti i furnizimit me energji.

Centrali në Zaporizhzhia, që është më i madhi në Evropë, sërish është detyruar të mbështetet në gjeneratorët me naftë, për të furnizuar me energji sistemet e ftohjes dhe pajisjet kyçe të sigurisë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka shprehur shqetësim të madh rreth centralit në Zaporizhzhia, i cili ka pësuar dëme nga bombardimet e përsëritura.

Zyrtarët ukrainas thonë se sulmet raketore të Rusisë në stacionet energjetike, kanë shkaktuar dëme kolosale dhe kanë bërë që më shumë se gjysma e rrjetit në vend të ketë nevojë për riparim.