Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar Rusinë se nuk do të ketë falje për atë që po ndodh me vendin e tij – përkundrazi, do të ketë “një ditë gjykimi”.
Deklarata e fundit e Zelensky erdhi të dielën në mbrëmje pasi forcat ruse shtuan granatimet e tyre anembanë Ukrainës dhe përpjekjet për të evakuuar 200,000 njerëz nga qyteti i rrethuar i Mariupolit u bllokuan për të dytën ditë radhazi, përcjell Telegrafi.
Në qytetin Irpin, në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit Kiev, rreth tetë civilë – duke përfshirë katër anëtarë të një familjeje – u vranë kur raketat goditën atë pjesë, sipas kryebashkiakut lokal.
Moska ka mohuar vazhdimisht se ka sulmuar zonat civile.
Zelensky tha: “Ne nuk do t’i falim për shtëpitë e shkatërruara. Ne nuk do të falim për raketën që mbrojtja jonë ajrore rrëzoi mbi Okhmatdyt. Dhe më shumë se pesëqind raketa të tjera të tilla që goditën tokën tonë në Ukrainë, njerëzit tanë, fëmijët tanë”.
“Ne nuk do të falim pushkatimin e njerëzve të paarmatosur. Shkatërrimin e infrastrukturës sonë. Ne nuk do të falim. Qindra e qindra viktima. Mijëra e mijëra vuajtje. Dhe Zoti nuk do të falë. Jo sot. Jo nesër. Kurrë. Dhe në vend të faljes , do të ketë një ditë gjykimi”.