Profesori dhe analisti nga Tetova, Xhelal Zejneli, vlerëson se propozimi i Francës për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, është i ekuilibruar dhe nuk e dëmton asnjërën palë. Në një prononcim për gazetën LAJM, ai tha se propozimi francez i ngjan Marrëveshjes së Prespës e cila, sipas tij, nuk e dëmtoi asnjërën palë dhe i’a hapi Maqedonisë rrugën për anëtarësim në NATO.
“Integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian është interes i qytetarëve të saj, në veçanti i shqiptarëve. Kjo është një çështje strategjike, nuk është çështje e thjeshtë. Kjo për dy arsye: E para integrimi në BE, i hap Maqedonisë dhe tërë Ballkanit Perëndimor perspektiva të reja ekonomike, por edhe e parandalon mundësinë e penetrimit të Rusisë në këtë pjesë të Evropës. Mbi Sofjen dhe Shkupin po ushtrohet trysni e madhe nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosje, nga Uashingtoni dhe Brukseli që problem të zgjidhjet. Këtë situatë e përshpejton edhe agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe rreziku që i kanoset rajonit nga ndikimi rus në të. Mendoj se propozimi i presidentit të Francës, Emanuel Makron është i ekuilibruar, i barazpeshuar dhe nuk e dëmton asnjërën palë. As Maqedoninë e Veriut dhe as Bullgarinë. Kjo i ngjan Marrëveshjes së Prespës që ishte një marrëveshje totalisht e barazpeshuar që nuk e dëmtoi asnjërën palë dhe i’a hapi Maqedonisë rrugën për në NATO. Mendoj që Bullgaria do të votojë për zgjidhjen e problemit dhe Maqedonia do ta mirëpres këtë”, tha profesori Xhelal Zejneli për gazetën LAJM.