Ukraina njofton se dy ushtarë janë plagosur në lindje të vendit

Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë pësuar dëmtime si rezultat i “zjarrit të armikut” përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore.

Operacioni i Forcave të Bashkuara njoftoi se dy efektivët mbetën të plagosur në një aksion. Të dy janë në spital, ku njëri nga ushtarët është një gjendje të rëndë, por të qëndrueshme.

Ushtria njoftoi se separatistët e mbështetur nga Rusia kishin kryer 33 shkelje të armëpushimit, duke përfshirë 22 incidente në të cilat ata qëlluan me armë të ndaluara nga Marrëveshjet e Minskut, raporton cnn.

Theksojmë se lufta në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014 dhe ka marrë jetën e më shumë se 14 mijë njerëzve. Luftimet intensive në 2014 dhe 2015 lanë pjesë të Luhanskut lindor dhe Donetsk në duart e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Ato zona të kontrolluara nga separatistët në rajonin e Donbasit të Ukrainës, u bënë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut (LPR) dhe Republika Popullore e Donetskut (DPR).

Qeveria ukrainase në Kiev pohon se të dy rajonet janë në fakt të pushtuara nga Rusia. Republikat e vetëshpallura nuk njihen nga asnjë qeveri, përfshirë Rusinë. Qeveria ukrainase refuzon të bisedojë drejtpërdrejt me asnjërën nga republikat separatiste.

Marrëveshja Minsk II e vitit 2015 çoi në një marrëveshje të lëkundur armëpushimi dhe konflikti u vendos në një luftë statike përgjatë vijës së kontaktit që ndan qeverinë ukrainase dhe zonat e kontrolluara nga separatistët. Marrëveshjet e Minskut (të emërtuara sipas kryeqytetit të Bjellorusisë) ndalojnë vendosjen e armëve të rënda pranë vijës së kontaktit. /Telegrafi/