Tridhjetë vjet pavarësi monetare, denari mbetet i qëndrueshëm

“Republika e Maqedonisë vendosi valutën e saj, e cila do të quhet denar dhe kam kënaqësinë t’ju tregoj se si shtypen ato valuta”. Me këto fjalë, kryeministri i parë i vendit Nikolla Kljusev nga foltorja parlamentare e prezantoi denarin si monedhë kombëtare që zyrtarisht u prezantua më 26 prill 1992 (Pashkët).

Më pas, Kuvendi miratoi një paketë ligjesh me të cilat shteti u bë i pavarur financiarisht. Në fillim u prezantuan kuponët apo bonot që zëvendësonin dinarët e atëhershëm jugosllavë në raport 1:1. Zëvendësimi filloi më 27 prill 1992 dhe zgjati tre ditë. Tashmë më 29 prill, kartmonedhat jugosllave u zhvleftësuan dhe monedhat prej 1, 2 dhe 5 dinarë jugosllavë mbetën të vlefshme edhe një vit.

Kuponët me vlerë 25, 50, 100, 500 dhe 1000 kishin të njëjtin dizajn dhe ndryshonin vetëm në ngjyra. Mbi to nuk ishte shkruar emri i monedhës së re kombëtare. Në pjesën e përparme motivi kryesor ishte “Makedoniumi”, kurse në anën e pasme duhan-vjelësit.

Emri denar rrjedh nga monedha e lashtë romake me të njëjtin emër (latinisht denarius), e cila është përdorur në këtë territor në të kaluarën. Emrin e ka dhënë akademiku Petar Ilievski dhe si propozime në atë periudhë janë propozuar “dinari maqedonas” dhe “luani”.

Denarët e parë u hodhën në qarkullim vitin e ardhshëm. Në vitin 1993 janë lëshuar seria e kartëmonedhave prej 10, 20, 50, 100 dhe 500 denarësh, ndërsa në vitin 1996 janë futur në treg kartëmonedhat prej 1000 dhe 5000 denarësh.

Në vitin 2016 u prezantuan kartëmonedhat 200 dhe 2000 denarë. Në të njëjtën kohë, kartëmonedhat me prerje prej 5.000 denarësh u tërhoqën nga qarkullimi si rezultat i aplikimit të parëndësishëm të tyre në transaksionet ditore dhe uljes së kërkesës nga bankat.

Në vitin 2018, Banka Popullore, e cila ka të drejtën e emetimit të kartëmonedhave dhe monedhave, i zëvendësoi kartëmonedhat 10 dhe 50 denarë me kartëmonedha të reja polimer.

Nga viti 1996, BPRM emeton edhe monedha jubilare për koleksionistë.

Sot në vend si mjet pagese përdoren kartëmonedhat 10, 50, 100, 200, 500, 1000 dhe 2000 denarë dhe monedha metalike në vlerë 1,2,5,10 dhe 50 denarë.

Kartëmonedhat 10, 50 dhe 100 denarë janë shtypur në vend, ndërsa kartëmonedhat 500, 1000 dhe 5000 denarë (botimi i vitit 1996) janë shtypur në “Thomas De La Rue” në Londër. Emetimi i fundit i kartëmonedhave 500 dhe 1000 denarë nga viti 2003 është bërë edhe në TDLR. Monedhat janë prerë në farkëtoren “Souvenir” në Samokov dhe janë zgjidhje artistike dhe teknike e Dimçe Boshkoskit dhe Snezhana Atanasova, punonjëse të farkëtores

Tridhjetë vjet më vonë, denari mbetet i qëndrueshëm përkundër një sërë krizash dhe trazirash nëpër të cilat ka kaluar vendi. Vitet e para të pavarësisë monetare u karakterizuan me hiperinflacion, recesion, nivel të pamjaftueshëm të rezervave valutore, stabilitet makroekonomik… Në tetor të vitit 1995 u prezantua strategjia monetare e kursit të qëndrueshëm të denarit ndaj markës së atëhershme gjermane, dhe nga janari 2002 lidhet, me euron.

Politikat monetare të ndjekura gjatë konfliktit të vitit 2001, krizës globale financiare të vitit 2008 dhe pandemisë Kovid-19 nuk lejuan zhvlerësimin e denarit. Banka Popullore siguron se edhe në situatën aktuale me krizën ruso-ukrainase, denari është stabil dhe nuk ka rrezik për zhvlerësim.

Në intervistën e fundit për MIA-n, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska tha se nuk ka arsye për ndryshim të kursit.

“Me përgjegjësi të plotë, Banka Popullore qëndron pas faktit se denari është stabil dhe do të mbetet i qëndrueshëm. Nuk ka arsye për ndryshim të kursit, nga kjo nuk do të përfitojë askush”, tha në atë intervistë Angelovska-Bezhoska, duke theksuar se banka qendrore ka kapacitet dhe instrumente për të mbrojtur kursin e denarit, nëse nevojitet një gjë e tillë, për të cilën, siç theksoi ai, konfirmim janë tre dekadat e fundit kur në shumë kriza është ruajtur stabiliteti i monedhës vendase.

Banka Popullore siguron se denari do të vazhdojë të jetë spirancë e stabilitetit të ekonomisë maqedonase, duke theksuar se rezervat devizore mbahen vazhdimisht në nivel komod dhe sistemi bankar është i qëndrueshëm, likuid, mjaftueshëm i kapitalizuar dhe mund të ofrojë mbështetje kreditore për aktivitetin ekonomik.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet