“Tirada” e Edit për Kosovën

Do të ishte vërtet dëshpëruese që ai fjalim i Edi Ramës të mbetet një “pushkaliqe” pa barot, sa për efekte ditore, pa atë rezultatin e dëshiruar: një rezolutë e re për UÇK-në.

Nga Daut DAUTI

Shpresoj lexuesit të mos bien pre e fjalës “tiradë” që do të kishte kuptimin e një fjalimi të gjatë dhe të mërzitshëm. Thonjëzat janë këtu për ta bërë të kapshëm dykuptimësinë e përjetimit tonë dhe të të tjerëve.

Advertisements

Megjithëse, realisht, a do të jetë me thonjëza, apo pa to, kjo varet se si kanë ndërtuar qëndrim ata që e kanë përcjellë fjalimin e Edi Ramës para Këshillit të Evropës. Shumë sish ‘mezi” pritën të përfundojë ai fjalim në mbrojtje të luftës dhe vlerave të UÇK-së. Evropianët tradicionalisht racionalë, fjalëpakë e punëshumë, po ta dinin shprehjen shqipe, do të kishin thënë “rrahje uji në havan”, por meqë këtë sigurisht nuk e dinë ose nuk mund ta kapin, – se ata kurrë nuk kanë grirë duhan në havan, e lere më të rrahin ujë- kanë një shprehje angleze, që për shkak të bontonit të komunikimit nuk po e “citoj”.

“Tirada” me gjasë për shumë arsye më thelbësore se sa dëgjimi i një fjalimi të gjatë e të mërzitshëm. I gjatë po, por i mërzitshëm, assesi. Të mërzitshëm për dëgjuesit në sallë e bënin disa fakte notoredhe vlerësime bindëse të folësit, i cili thërriste në ndërgjegjësim dhe rivlerësime të rezolutës së DikMartit.Edi tha se gjërat atraktive që ishin përfshirë në raportin e DikMartit, ishin si një roman me fantazi të paanë të autorit, por gjëra të paprovuara, të palogjikshme, të cilat tingëllojnë vrazhdë, por që duhet të të çojnë të rivlerësiosh qëndrimin që ke marrë i shtyrë nga përshtypja e një qëndrimi jokritik. Për më tepër, me peshën e madhe të fajësisë që shumë nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, para dhjetë vjetësh kishin rënë në grackën e sajesave serbe e ruse, me të cilat pastaj shkuan në burg udhëheqësit e UÇK-së.Çka nëse nesër i kujtohet dikujt që Zelenskin që lufton për mbijetesë të shtetit të vet kundrejt agresionit rus, i kujtohet dikujt ta fusë në burg? Ja ky është paralelizmi që duhet bërë…

Do të duhej t’u ishte dukur fjalimi i Edit “tiradë”, me gjithë vërtetësinë që përmbanin fjalët e tij të shprehura me një nervozë dhe dëshpërim, por tepër vështirë për t’u pranuar si një gabim i mëhershëm, dhe këtu vijmë te ana tjetër e medaljes, ironik, se efekti mund të jetë sa për një ditë, apo dhe një javë, dhe aty të mbetet. Vetëm nja dhjetë ditë pas vizitës së udhëheqësve kosovarë të akuzuar për krime lufte, Edi Rama para Këshillit të Evropës u përpoq të tregonte një të vërtetë tjetër nga ajo që përmbante raporti i famshëm i Martit, por edhe vetë u bind se sa është vështirë ndonjë institucion i lartë të pranojë lehtë gabimin. Disa deputetë e pritën keq paraqitjen e tij, madje e bojkotuan edhe darkën e punës në të cilën i kishte thirr.

Nëse mund të kuptohet pse ndonjë evropian nuk dëshiron të pranojë gabimin dhe të gjejë arsyetime për fjalorin “jo shembullor” të fjalimit të Edi Ramës, një analizë më të thellë meritojnë sjelljet e faktorëve shqiptarë ndaj tij. Që Sali Berisha iu vërsul Edit, kjo ka mundur të jetë e pritshme, sepse ai, edhe kur qeveria socialiste menaxhonte krizën kosovare në vitin 1999, ishte kundër “by defoult”. Por, që në Kosovë do të ketë një heshtje institucionale, kjo nuk ka qenë e pritshme. Për arsye “të kuptueshme”: Albin Kurti gjithë ditën kishte qenë “në terren”(vizitë në Pejë) dhe “nuk kishte pasur mundësi” ta përcjellë fjalimin një orësh të Edi Ramës në Luksemburg, kurse kryetarja Vjosa Osmani, për arsye lehtësisht të supozueshme, askush nuk e di ku ka qenë në “momentin kritik”! Me gjasë edhe Ramushi kishte qenë diku, ndoshta lartë në Çakor, ku nuk ka pas valë, por shpejt u kuptua se mungesa e tij kishte qenë “me arsye”. Nga përfaqësuesit “institucionalë”, reagim dhe përkrahje nga pensionisti Isa Mustafa dhe një djalë i ri para të cilit është jeta, Endrit Thaçi, përndryshe, “rastësisht” djalë i presidentit Hashim Thaçi…Kuptohet, pro et contra-t e analistëve të paguar nëpër TV-stacionet, ku njësoj si në studiot e TV-ve shqiptare, nuk arrin të kuptosh kush për çka është!
Albin Kurti të mërkurën u zotua se në mbrëmje do t’i “apdetojë” informatat se çka e si e ka mbrojtur Edi Rama luftën e UÇK-së, por gjithë apdejtin ia prishi Lajçaku që ndërkohë erdhi në Kosovë dhe nuk pati kohë përsëri. Për presidenten Vjosa Osmani, prapë nuk dihet se ku gjendet, por nga fjalët me spec që ia lëshoi Edi Ramës para do ditësh, është e qartë se ajo prej tij asgjë nuk pret. E Ramushi ende është nën dehjen e festimit të ditëlindjes së Anitës…

Fjalimi i Edi Ramës do të mbetet të komentohet edhe gjatë kohë, si në kancelaritë evropiane, si në kafenetë tona. Ka shumë pyetje që do të dominojnë në diskursin tonë:
A e pati Edi një vetëpromovim si babai i kombit shqiptar(një gjuhë, një flamur…) për inat të pretendentëve të tij(për baba kombi, kuptohet), apo e pati përnjëmend për të votuar një rezolutë të re, e cila do të ishte korrigjim i gabimeve me rezolutën e mëparshme, e me këtë dhe t’ua lehtësonte pozitën ish-udhëheqësve të UÇK-së?

A ishte fjalimi i tij, gjithë ironi e batuta sikur të ishte para parlamentit shqiptar, në funksion të një rezolute të re, apo sa për të lënë një “përshtypje artistike”për publikun e Shqipërisë, për t’ia përmirësuar vetes imazhin “për mungesë” të tabanit kombëtar?(akuzat për allishverishet me Vuçiqin, në dëm të Kosovës?!)

A ishte ajo ironi dhe ai intonim i vrazhdë, më tepër kontraproduktiv? A do të duhej të ishte me më tepër takt ajo paraqitje e tij, se sa me akuza të drejtpërdrejta, nëse dëshironte t’i bindë të huajt se kanë gabuar dhe se tash duhet të votojnë një rezolutë të re? Argumentet e forta të ndikimit rus, që sot e rrezikon Evropën, mund të ishte një argument i fortë, por a thua burokratët e Evropës janë të gatshëm të korrigjohen?

A mos vallë Kurti e Osmani me heshtjen e tyre duan t’i thonë Edit: aman, vetëm ti mos na mbro, se ma keq na del!

Ose: ne jemi shtet tjetër, ti shiko rregulloi punët brenda shtëpisë tënde!

Do të ishte vërtet dëshpëruese që ai fjalimi Edi Ramës të mbetet një “pushkaliqe” pa barot, sa për efekte ditore, pa atë rezultatin e dëshiruar: një rezolutë e re për UÇK-në.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet