Testimi i qarkores njëkahëshe në Prishtinë, ekspertët: Projekt i ngutshëm dhe i dështuar

Vendimi i Komunës së Prishtinës për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet, po shihet si një projekt i ngutshëm dhe i dështuar nga ekspertët e komunikacionit rrugor.

Testimi i qarkores njëkahëshe ka nisur sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, si fazë testuese për ta “çliruar” kryeqytetin nga automjetet. Megjithatë, ndodhi e kundërta.

Edhe pse në fundjavë , kolona të gjata të automjeteve u krijuan në rrugët e kryeqytetit.

Një qytetar tha për Telegrafin se ka mbetur në komunikacion për 40 minuta, nga rruga “UÇK” deri te udhëkryqi i Mensës së Studentëve.

“Edhe pse  ditë pushimi, për 40 minuta jam torturuar në komunikacion. Paramendojeni si mund të jetë qarkullimi gjatë ditëve të javës, në qoftë se do të vazhdojë ky proket”, tha ai, i mllefosur.

Të bllokuar në kolonë, shumë vozitës kanë kërkuar rrugë e rrugica alternative nëpër qytet, por që edhe aty kanë mbetur të bllokuar.

Trafiku në Prishtinë (23.04.2022)

Një testim të tillë e cilëson të ngutshëm dhe të dështuar eksperi i komunikacionit, Visar Baxhaku, pasi sipas tij, fillimisht është dashur të bëhej një analizë më e saktë e pastaj eksperimenti si veprim i fundit.

“Ky testim ka qenë i ngutshëm dhe nuk do të funksionojë, e them me bindje të plotë sepse rrugët njëkahëshe nuk janë më zgjidhje të kolonave. Ato janë zgjidhje të qasjeve dhe orientimeve. Kolonat i zgjidh vetëm diversifikimi i llojit të transportit. Duhet të bëhet një analizë fillimisht e në fund bëhet ai eksperimenti që është bërë sot, është e fundit për t’i marrë rezultatet për përmirësim. Eksperimenti bëhet kur jemi të bindur për rezultat me 80 për qind dhe gjenden mangësitë e përmirësohen ato, por jo në këtë formë”, deklaroi Baxhaku për Telegrafin.

Për t’i shmangur kolonat që krijon në kryeqytet, ai tha se Komuna duhet t’i motivojë qytetarët për të përdorur transportin publik, duke e bërë falas atë.

Ndërsa, si zgjidhje të dytë përmendi tarifat e larta të parkimit.

“E dyta është mjetet që hyjnë në Prishtinë, parkingun jashtë kryeqytetit e transportin falas, duhet të ketë tarifa të larta të parkimit, disa prej masave janë këto”, u shpreh Baxhaku.

I një mendimi është edhe eksperti tjetër i komunikacionit, Bekim Ahmeti, i cili tha se sot u dëshmua se kjo unazë qarkore është e pamundur të shfrytëzohet.

“Ky testim bëhet kur ka mungesë të transportit publik, si mundësi për zgjidhje të dytë. Por, kjo unazë qarkore u pa sot që nuk mund të funksionojë dhe më mirë ka qenë më herët sesa kështu”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se komunikacioni në Prishtinë ka shumë probleme të cilat presin të zgjidhen.

E për ta “shkarkuar” kryeqytetin nga veturat, ai tha se zgjidhje do të ishte organizimi i një linje të transprtit urban përmes tramvajit.

“Më së miri do të ishte të jetë një tramvaj mbrapa Pallatit të Rinisë, atëherë do të shkarkohej shumë qyteti sepse qytetarët përdorin transportin publik dhe jo automjete vetanake”.

Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë në Komunën e Prishtinës për t’i pyetur nëse testimi ka shkuar sipas planit të tyre, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Ndërsa, këshilltari për Çështje të Sigurisë në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tash për tash qarkullimi testues njëkahorë po rrjedhë mirë dhe sipas planit”./Telegrafi/

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet