Të gjithë kursejnë rrymë, Hekurudha dhe Haraçina shpenzojnë në mënyrë të pakontrolluar

Në tetor të këtij viti, Hekurudhat e Maqedonisë-Transport dhe Komuna e Haraçinës kanë konkurruar se kush do të harxhojë më shumë energji elektrike në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Hekurudha muajin e kaluar ka harxhuar 760 për qind më shumë energji elektrike në krahasim me tetorin e vitit 2021, ndërsa Komuna e Haraçinës ka rritur konsumin e saj për 474 për qind në një vit në krahasim me muajin e dhjetë të vitit të kaluar, njoftoi dje ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi një konferencë për shtyp.

Ndryshe, Qeveria i ka obliguar institucionet që në gusht që të respektojnë obligimin për të kursyer energjinë prej së paku 15 për qind në nivel mujor krahasuar me konsumin në muajt e vitit të kaluar.

Megjithatë, të dhënat nga analiza e kursimeve të energjisë elektrike në muajin tetor në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar tregojnë se shumica e organeve të administratës shtetërore, institucioneve dhe ndërmarrjeve publike kanë arritur të kursejnë energjinë elektrike për të paktën 15 për qind në tetor 2022 në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Me kënaqësi mund të them se pas të dhënave fillestare për muajin shtator për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet shtetërore, trendi i uljes së konsumit të energjisë elektrike vazhdon”, tha ministri Bekteshi.

Sipas të dhënave të Elektrodistribuimit për kursimin e energjisë elektrike, rezulton se ndërtesat administrative të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kuvendit, Qeverisë, ministrive, ShA EMV dhe ShA MEPSO kanë arritur një konsum të reduktuar të energjisë elektrike për mesatarisht 29 për qind, që është më shumë krahasuar me totalin e kursimeve prej 20 për qind të arritur në shtator.

Kjo do të thotë se të gjitha institucionet në tetor të këtij viti kanë pasur së paku 15 për qind ulje të konsumit të energjisë elektrike, që është në përputhje me rekomandimet dhe detyrat e sjella nga Qeveria.

Kursimi i energjisë elektrike i qeverisë është 32 për qind, kursimi i Kuvendit në tetor është 22 për qind, i kabinetit të Presidentit 24 për qind, i ndërtesës administrative të EMV-së kursimi është 25 për qind dhe i MEPSO-s 22 për qind.

Nëse merren parasysh të dhënat që përfshijnë të gjitha ndërmarrjet, agjencitë dhe administratat shtetërore, atëherë kursimi total i energjisë elektrike në tetor 2022 është 24 për qind.

Sipas të dhënave, konsumi i energjisë elektrike i përmbledhur vetëm nga ministritë, së bashku me të gjitha njësitë që janë në përputhje me kompetencat në varësi të një ministrie të caktuar, ka rënie prej 33 për qind.

Ministria e Arsimit ka arritur kursimin më të ulët të energjisë elektrike prej 24%, kurse Ministria e Mjedisit ka arritur kursimin më të lartë prej 94%.

Bekteshi shtoi se nga analiza e konsumit të energjisë elektrike në tetor 2022 rezulton se gjithsej 19 ndërmarrje publike në pronësi shtetërore me të gjitha njësitë rajonale kanë kursim total të energjisë elektrike prej 17 për qind.

Në pjesën e komunave, të dhënat për kursimin e energjisë elektrike tregojnë se nga 81 komuna, 65 komuna kanë pasur kursime prej së paku 15 për qind, nga të cilat 12 komuna kanë arritur kursime më të mëdha se 50 për qind. Gjithsej 16 komuna nuk kanë arritur kursime prej 15 për qind, prej të cilave vetëm tre kanë konsum më të lartë në tetor 2022, krahasuar me tetorin 2021.

Përveç Haraçinës, ku ka rritje të faturave të energjisë elektrike për 474 për qind krahasuar me tetorin 2021, në tetor të këtij viti rritje të konsumit kishin edhe Komuna e Studeniçanit për 11 për qind dhe Komuna e Lozovës për 12 për qind. Po ashtu, komunat si Makedonska Kamenica në tetor të këtij viti kanë pasur konsum të njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa konsumi i energjisë elektrike në tetor 2022 në Karbincë dhe Rosoman është ulur për vetëm 1 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Bekteshi përmendi se kursimi i energjisë elektrike në komuna nuk është detyrim, por rekomandim për pushtetin lokal për të cilin nuk ka sanksione.

“Në rast se nuk do të vazhdojë ky trend i kursimit të energjisë elektrike, e thash edhe paraprakisht, tani mund ta përsëris, jam për masa rigoroze”, tha ministri i ekonomisë Bekteshi, i cili shtoi se qeveria duhet të vendosë bashkërish për sanksione të mundshme për udhëheqësitë e institucioneve që nuk do të arrijnë rezultate të kursimit të energjisë elektrike të paktën 15 për qind.

Njëkohësisht, në konferencën e djeshme për media, Bekteshi u bëri thirrje të gjitha kompanive dhe qytetarëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë racionale.

“Konsumimi racional i energjisë elektrike do të bëjë të mundur uljen e faturave të energjisë elektrike si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë që do të bëhen më konkurruese”, tha Bekteshi.