-Kur jemi te përgjegjësia, Taravari harron se havaria e ASH-së kësaj radhe ka ndodhur shumë më afër Gostivarit të Taravarit, sesa Strugës së Selës, dhe se gjithë dështimi nuk mund të shkojë në adresë të liderit, kur dihet se sa ka qenë i zellshëm në kreimin dhe realizimin e strategjive të gabuara të ASH-së!
(Përgjigje e portalit indeks.mk një postimi ironik të Arben Taravarit në Facebook)
Në një postim në facebook, ku ka nxjerrë “skreenshot-ët” e disa teksteve që kishin si shkas dorëheqjen e kryetarit të ASH-së, Zijadin Sela, nënkryetari i kësaj partie, Arben Taravari ka “falënderuar” Artan Grubin dhe kolumnistin Arsim Zekolli “për fushatën dhe publicitetin”.
Meqë pamë dhe “firmën” e portalit tonë në ato foto, e pamë të arsyeshme t’ia themi disa gjëra që nënkryetari i ASH-së i di, por nuk dëshiron të ballafaqohet me to.
Nëse zbërthejmë porosinë ironike të kontekstit, mund të vijmë në përfundim tejet interesant: Arben Taravari vërtet është i bindur se këto shkrime i bëjnë reklamë figurës dhe veprës së tij prej politikani,ndonëse duket qarë se e do ta ketë nga zemra e plasur.
Se çka shkruajnë të tjerët kur ty shkojnë punët mirë, është si ajo popullorja “qentë lehin, karvani ecën”. Por, nëse këto shkrime i kushtohen një fryti të punës së tij, siç është rezultati dëshpërues në zgjedhjet lokale për Këshillin e komunës së Tetovës, atëherë përpjekja e Taravarit për ta relativizuar, është të mbulosh atë që nuk mund të mbulohet. Sepse, nëse jo për tjetër, ato morën “kokën” e kryetarit të tij, i cili mori guximin të përballet me të vërtetën dhe mori përgjegjësinë për këtë.
Shkrimet kushtuar këtij pësimi serioz të ASH-së, Taravari mund t’i quajë si të dojë, edhe “propagandë më të zezë” po deshi, por duhet të dijë se ato janë pjesë e pluralizmit dhe të opinionit publik, i cili ka të drejtë të dijë dhe analizojë shkak-pasojat e proceseve. Puna e një partie është publike dhe i ekspozohet vlerësimit. Këtë mbase më së miri duhet ta dijë një politikan, i cili del në “pazar” me idetë dhe projektet, të cilat mund të prodhojnë këso ose aso rezultatet. Gjithçka është në sprovë dhe në gjykim të publikut, ndaj, nëse Taravari mendon se shkrimet kritike në adresë të ASH-së janë të sajuara, le të kënaqet me “zero” këshilltarë në Tetovë, ku herën e kaluar kishin 3.
Po të kthehemi te përgjegjësia. Aleanca për Shqiptarët ka pasur një ngritje bashkë me partitë tjera opozitare që shkoi përtej 80 mijë votave në zgjedhjet parlamentare të 2016-tës, porse, në vend se të rritej, falë strategjive të gabuara, trupi votues i tyre u shkri duke u përgjysmuar. Pse ndodhi kjo, nuk duhet t’i brengosë personat që ai i apostrofon, por vetë Taravarin. Sepse, nuk ishte vetëm Sela kreatori i këtyre lëvizjeve politike që ulën ASH-në, sepse ishte ndoshta edhe më i zellshëm vetë Taravari, edhe për koalicionim me VMRO-në, edhe për bashkëpunim dhe ulje në një tavolinë me nacionalistë ekstremistë antiperëndimore si Apasievi, për të arritur objektivat politike. Mund të thuhet se në politikë është gjithçka e lejuar, por ja që këtë “strategji të lejuar” nuk po ua blen elektorati shqiptar, i cili i ka orientimet e qarta properëndimore.
Të mos çuditet Taravari, mediat do të vazhdojnë t’i bëjnë “publicitet” dhe “fushatë” punës së tij, sepse ai kryen funksione që janë të interesit të gjerë publik. Vetëm duam të shtojmë se po të ishte korrekt, do të duhej që dorëheqjes së kryetarit të partisë së tij, t’ia bashkangjiste edhe dorëheqjen e tij, sepse, në kreimin dhe realizimin e strategjive politike, ata përherë ishte bashkë, e bile Taravari më i ekspozuar dhe më i zellshëm në disa aspekte(fotografimin me Apasievin s’ia kanë bërë portalet, apo jo?!) dhe se përgjegjësia të ndahesh bashkërisht. Por, s’duam të supozojmë, por duket se Taravari mezi ka pritur. Por çka do të bëjë se, kur dihet se dështimi ka ndodhur shumë më afër Gostivarit të Taravarit, sesa Strugës së Selës?!