Taravari e bën Gostivarin komunë rurale? Ky problem është edhe më i vështirë kur janë në pyetje komunat rurale…

Pas dështimit të projektit rajonal të trajtimit të qenve endacakë në Pollog, komunat përveshin mëngët për zgjidhje lokale të këtij problemi. Zgjidhja kësaj radhe nuk do të jetë sikurse në të shkuarën, sidomos në Tetovë, thotë kreu i komunës Bilall Kasami, kur komuna në vit ndante dhjetëra mijëra euro ndërsa problemi sërish mbetej pa zgjidhje. Madje asnjëherë nuk dihej, kur dhe sa qenë endacakë janë trajtuar, shkaku i një mungese të kontrollit nga ana e komunës, mbi firmën që bënte trajtimin e tyre. Komuna e Tetovës thotë se po shqyrton mundësinë që problemi i qenve endacak të zgjidhet jo vetëm përmes qendrës për trajtimin e qenve por edhe adoptimit të tyre nga banorët.

Hallin e njëjtë ka edhe komuna e Gostivarit. Kreu i komunës Arben Taravari, është shprehur se zgjidhja për të qenë afatgjate, duhet të bëhet në nivel rajonal.

“Ky problem është edhe më i vështirë kur janë në pyetje komunat rurale, si pasojë e kostos së lartë të trajtimit vjetor të qenve endacak, krahasuar me buxhetet e vogla që kanë komunat tona”.

Ndërkohë që komunat me vite zvarrisin zgjidhjen e këtij problemi, ata që e pësojnë janë banorët.

“Rrezik ka secilin moment, as plakun e as fëmijën s’mund ta lëshosh vetë rrugë. Ka ndodhur shumë herë këtu pikërisht, sepse rrinë këtu grumbull sepse hanë bukë që iu hedhin këta. Si të them, s`mund të flemë rehat, s’jemi rehat së fëmijët i pret rreziku sa dalin nga dera e shtëpisë”, banor i Gostivarit.

“Ç`do ditë e më shumë mblidhen, ja edhe në oborr hynë, nxënësit e shkollës aty janë, frikohemi këtu te banesat. Kam pas raste fëmijë janë sulmuar dhe kemi vrapu i kemi shpëtu”, Banor

Për zgjidhjen e problemit përmes ndërtimit të një qendre rajonale për trajtim të qenve endacakë, UNDP dhe Qeveria zvicerane ndanë fonde për projektin në fjalë, por regjioni planor i Pollogut nuk ia doli të shfrytëzoj këto mjete, shkaku i mos gjetjes së vendit se ku do ndërtohej kjo qendër. /Alsat