Specialja ua vazhdon paraburgimin Gucatit dhe Haradinajt deri në shpalljen e aktgjykimit

Dy ish-udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, iu është vazhduar paraburgimi në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Vendimi për refuzimin e kërkesës së tyre për lirim nga paraburgimi është nënshkruar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, dhe i njëjti vendim është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Kështu ka mbetur në fuqi masa e paraburgimit deri të shpallet aktgjykimi për ta.

Të njëjtit pritet që brenda një periudhe jo shumë të gjatë të dalin përfundimisht para gjykatës, kur edhe do të jepet verdikti për ta.

Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Haradinajt dhe të Gucatit, si të dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe më 1 tetor 2020.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake Nicolas Guillou, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.