SKANDAL / Në pikë të verës banorët e Gajres nuk kanë ujë

“Që prej dy javësh, fshati Gajre është pa ujë për pije. Shkak për këtë është bërë defekti që është paraqitur në gypin kryesor që furnizon fshatin, gjatë gërmimit të dheut për hapjen e një rruge. Për dy javë rresht, nga Ndërmarrja nuk është intervenuar, andaj janë detyruar banorët që të dalin në terren vetë, me financa dhe kontribut të vetin të rregullojnë këtë problem, që ky ujë që shihni këtu të mos rrjedh për rruge, por t`iu kthehet banorëve në këto temperatura tropikale”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim sulejmani.

Banorët thonë se gjithë këtë periudhë me ujë furnizohen ku të munden.

“Prej para bajramit nuk ka ujë. Që 20 ditë nuk ka ujë. Mbushim ujë nga qyteti e sjellim në fshat, ndërsa qyteti përmes fshatit tonë furnizohet qyteti me ujë e ne s`kemi ujë. Askush nuk ka interesim se çka duhet të bëhet si të bëhet që të rregullohet uji. Ka njerëz të sëmurë në fshat, pleq që e kanë të domosdoshme ujin. S`ka asnjë interesim nga institucionet që të vijnë të interesohen se përse nuk ka ujë ose ç`mund të bëjnë ta rregullojnë ujin”, tha një banor.

“Gati një muaj jemi hiç pa ujë. Mbushim te xhamia. I vendosim bidonat në diell dhe me to lajmë fëmijët e vetë, çka të bëjmë”, u shpreh një tjetër banor.

“S`kemi çka të bëjmë mbushim me bidona, si në disa fshatra. Zgjohesh në mëngjes nuk ka ujë për të laj sytë. Nuk vijnë ta rregullojnë, duhet të vjen Ndërmarrja komuna po s’ndihmon askush. Ne vetë aq e kemi mundësinë”, theksoi një banor tjetër.

Kreu i Bashkësisë Lokale, Rexhep Halili, thotë se riparimi i defektit po bëhet me kontribut dhe financa të vetë banorëve.

“Ne u organizuam dhe me vetë financim blemë 110 metra gypa dhe punën e dorës vetë, sepse ne si Bashkësi lokale kërkuan nga komuna për të na siguruar pjesë për ngjitjen e gypave nga gypi i vjetër, por ato veç thonë nesër do na sjellin. U apeloj që më së voni deri nesër ti sjellin që të fiksohet kjo, e nëse s’bëhet atëherë të na informojnë që vetë të gjendemi në ndonjë institucion tjetër”, tha Rexhep Halili, kryetar i BL Gajre.

Të pyetur për vonesën në riparimin e defektit, nga ndërmarrja publike komunale, janë arsyetuar se pjesët që duhet zëvendësuar janë specifike dhe gjetja e tyre është problematike.

“Për të bërë baj-pass të atij gypi na duhen pjesë shtesë që janë specifike dhe për këtë arsye kërkojmë këto pjesët dhe shpresojmë që nesër deri të hënën nga furnitori ti sjellë pjesët dhe ta evitojmë problemin që është në Gajre”, u shpreh Lulzim Shaqiri, udhëheqës i ujësjellësit në NPK “Tetova”.

Fshati Gajre nuk ka vetëm problemin e ujit për pije. Në këtë fshat asnjëherë nuk ka pasur telefoni fikse dhe as internet, edhe pse kabllot kryesorë për Shipkovicën dhe Kodrën e Diellit, kalojnë pikërisht përmes këtij fshati.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet