Skandal/ Ministria e Vetqeverisjes lokale e pranon me shumë vonesë Njoftimin nga komuna e Tetovës

Edhe pse Komuna e Tetovës dorëzoi te Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL) me 28 prill njoftimin për plotësimin e kushtit për shpërbërjen e Këshillit, MVL vetëm sot e pranoi shkresën, kjo erdhi pas pyetjeve të vazhdueshme të Portalb.mk se a e kanë pranuar të njëjtën dhe përgjigjeve të vazhdueshme se jo. Nga ministria njoftuan se arkivi në vend se ta përcjell shkresën te ato, të njëjtën e kishin dërguar te Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale. Ministria ka afat shtatë ditë nga sot që t’i propozojë Qeverisë për shpërbërje të këtij këshilli. Më pas Qeveria vendos për fatin e këtij këshilli sipas fuqisë ligjore, shkruan Portalb.mk.

Qeveria këtë javë për Portalb.mk disa herë konfirmoi se njoftimi zyrtar nga Komuna e Tetovës për shpërbërje të këshillit nuk ka arritur në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Kurse nga Komuna e Tetovës thonin të kundërtën. Sot pas sigurimit të dëshmisë nga Komuna e Tetovës, të njëjtën e përcollëm edhe te Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe nga atje njoftuan se ka pasur lëshim teknik, pasi e njëjta ishte dorëzuar në vend të gabuar.

Foto: Komuna e Tetovës
Foto: Komuna e Tetovës

Shkresa nga komuna e Tetovës në zyrën e arkivit është dorëzuar më 28 prill, por në vend të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është dorëzuar në Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale. Pas intervenimit të Ministrisë, shkresa nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale është dorëzuar sot në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Menjëherë pas pranimit, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale do të inicojë procedurën dhe do ta informojë Qeverinë brenda afatit ligjor”, thanë nga MVL për Portalb.mk.

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Kryetari i Komunës së Tetovës e ka shkelur nenin 33 të  Ligjit për financim të pushtetit lokal, pasi nuk e ka dorëzuar projektligjin vjetor për miratim në Këshillin e Komunës, më së voni deri më 28 shkurt. Nga ku më pas Këshilli është dashur ta miratojë llogarinë vjetore për vitin paraprak më së voni deri më 15 mars dhe të ja dorëzon Ministrisë së Financave më së voni deri më 31 mars të këtij viti.

Pika e miratimit të llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Tetovës për vitin 2021, në vend se të mbahet më 31 mars, kur është afati i fundit ligjor, atë ditë vetëm u lajmërua se kjo pikë së pari herë në rend dite do të jetë në seancën e nëntë e cila u mbajt me 7 prill 2021.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet