I pyetur nga Portalb.mk se përse nuk e dorëzoi në këshill pikën e llogarisë përfundimtare në përputhje me afatet ligjore por më vonë, Kasami tha se kanë qenë në negociata me këshilltarët e shumicës për të miratuar llogarinë përfundimtare.
“Ne kur me 23 mars nuk arritëm të sigurojmë këtë shumicë ne u detyruam pa pasur marrëveshje me këshilltarët e shumicës ta çojmë në këshill, me 7 prill ajo u refuzua dhe sot jemi në këtë faze”, tha Kasami.
Por edhe me 7 prill, ishin pikërisht edhe këshilltarët e Lëvizjes Besa së bashku me ASH-në, VMRO-në, dhe Më mirë për Tetovën, të cilët votuan të përmbajtur që kjo pikë mos të kalojë, dhe të lihet për seancë tjetër. Edhe Kasami vetë kërkoi një pika e njëjtë të caktohet në një seancë të veçantë.
Nëse këshilltarët e Lëvizjes Besa do kishin votuar pro me 7 prill, llogaria do ishte miratuar. Por për këtë Kasami u arsyetua kështu:
“Nëse do votonim, do e prishnim shumicën. Ne kemi qenë të shantazhuar nga disa këshilltarë të shumicës që nëse nuk pranohen kërkesat e tyre do të shkohet në zgjedhje.”
Ai shtoi se tendenca për zgjedhje është nga këshilltarët pa përmendur emra, duke thënë se nga konstituimi i këshillit të Komunës së Tetovës kanë pasur një shumicë të brishtë, e cila ka qenë me probleme më shumë brenda shumicës se sa me opozitën në të cilën në të shumtën e rasteve kërkoheshin llogari të ndryshme. Referuar ngjarjeve në Këshill, Kasami fjalën e ka për këshilltarët e “Më mirë për Tetovën”. Ai madje tha se ka pasur edhe shantazhime nga disa këshilltarë të shumicës.
“Disa nga këshilltarët e shumicës në këtë rast kanë bërë kalkulime të cilat ne i pamë edhe në opinion për të shantazhuar shumicën, që nëse nuk pranohen këshillat e tyre pa diskutim ata mund ta çojnë në krizë komunën, këtë rast këshillin në zgjedhje”, tha sot Kasami.