Nuk ka plane që presidenti amerikan Joe Biden të vizitojë kryeqytetin ukrainas, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki në një konferencë të hënën.
“Nuk ka plane që presidenti të shkojë. Më lejoni ta përsëris këtë,” u tha Psaki gazetarëve.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se dëshiron të dërgojë në Kiev një zyrtar të rangut të lartë, ndoshta Sekretarin e Shtetit Antony Blinken ose Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, transmeton Zeri.info.
Në një intervistë për CNN e cila u transmetua të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mendonte se Bideni do të udhëtonte në Kiev.
“Është vendimi i tij, natyrisht, dhe kjo varet edhe në lidhje me situatën e sigurisë, por unë mendoj se ai është lideri i Shteteve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të vijë këtu për të parë situatën”, tha Zelensky.