Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier sot fillon ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe pritet të shëtis nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe në Çifte Amam për të takuar ekipin e filmit dokumentar “Toka e mjaltë”.
Për takimin me ekipin e dokumentarit ai foli edhe dje në Kuvend.
“Nesër do të bisedoj me Atixhe Muratova dhe autorët e filmit “Toka e mjaltë”. Muratova, e cila është një nga bletarët e fundit të egër në Evropë, kur mbledh hoje dhe mjaltë u thotë bletëve të saj: “Gjysma për mua, gjysma për ju”. Ky mesazh, i këtij filmi të suksesshëm maqedonas, i mbushur me kuptime në të njëjtën kohë, bëri xhiron e botës. Edhe ne e dimë në Gjermani. Në sytë e mi, ‘Honeyland’ është dy gjëra në të njëjtën kohë: shprehje e kulturës krenare të një vendi të vogël dhe në të njëjtën kohë përcjell një mesazh edhe më të madh, kuptimi i të cilit shkon përtej kufijve të një vendi individual. Ne nuk duhet të shfrytëzojmë plotësisht dhuratat e natyrës, as të shkatërrojmë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin tonë. Kjo është detyra e njerëzimit dhe ne në Gjermani duam të bashkëpunojmë në këtë fushë”, tha dje Steinmeier para deputetëve.
Përveç takimit dhe shëtitjes nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit, presidenti gjerman në kuadër të vizitës dyditore do të ketë takim edhe me vizitorët e rinj të Shkollës politike të Qendrës presidenciale për edukim politik.
Pasdite, Steinmeier do të vizitojë parkun e erës në Bogdanc, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dhe më pas fabrikën Drexlmeier në Kavadar.
Kreu i shtetit gjerman ka nisur dje vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut. Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në kabinetin presidencial atë e priti presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin patën takim dhe mbajtën konferencë të përbashkët për media. Së bashku vendosën lule në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spas”.
Steinmeier u takua edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili iu drejtua deputetëve në Kuvend ku tha se Maqedonia e Veriut është para një vendimi të rëndësishëm nëse me ndryshimin e ardhshëm të Kushtetutës do t’i hapet rruga hapjes së kapitujve të negociatave me BE-në. Ai tha se tani nuk është koha për pikë politike dhe për të rënë në ngjyrime nacionaliste. Për rrugën drejt Evropës, hapi tjetër i vështirë ia vlen, tha Steinmeier dhe shprehu besimin se vendi mund të vazhdojë të mbështetet në Gjermaninë në rrugën drejt BE-së, por duhet të vazhdojë edhe me agjendën e reformave.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Steinmeierit në Maqedoninë e Veriut. Nga Shkupi, presidenti gjerman niset për vizitë në Shqipëri.


