Shqiptarët do të kenë shumë shpejt kryeministrin e tyre në Maqedoninë e Veriut dhe kjo, është vetëm një sukses i radhës i arritur nga shqiptarët marrë parasysh se në këtë mandat, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë më të fuqishëm se çdo herë pas luftës.
Nisur nga institucionet shtetërore e deri te organizimi civil, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po shijojnë një momentum të cilin nuk e kanë patur që nga pas lufta, shkruan Paparaci.com.
Përveç numrave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ku nga 120 deputetë, shqiptarët kanë një numër rekord prej 31 ulëseve, arsye për këtë fuqi politike dhe jo-politike të shqiptarëve janë bërë edhe përvoja politike, kultura institucionale e administrative.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin dhe më 28 janar do të kenë kryeministrin e parë shqiptar që udhëheq me këtë shtet.
Gjithashtu, shqiptarët do të kenë edhe zëvendëskryeministrin e parë – që me ndryshimin e rregullores së qeverisë dhe ligjit për qeveri, zëvendëskryeministri i parë i cili është i vetmi që zëvendëson kryeministrin, në përfaqësim, udhëheqje financash, udhëheqje seancash, firmosje të vendimeve etj.
Ndryshimi i këtij ligji gjithashtu ka hapur rrugë që shqiptarët të kenë kryeministrin e tyre. Përpara kësaj, qeveria ka patur 4 zëvendësministra dhe gjithmonë e drejta për udhëheqje seancash i është thënë zëvendësit nga komuniteti maqedonas.
Shqiptarët janë të fuqishëm politikisht edhe kur vjen puna në ndarjen e ministrive. Në 20 ministri, 10 do të udhëhiqen nga shqiptarët dhe 10 do të udhëhiqen nga maqedonasit. Gjithashtu, shqiptarët do të kenë edhe ministrinë e Jashtme dhe atë të Financave.
Më herët, shqiptarët kishin patur edhe ministrin e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, ndërsa kryetarja e Gjykatës Supreme gjithashtu është shqiptare.
Gjykata administrative udhëhiqet nga shqiptarët, njëlloj si Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Luftë Kundër Korrupsionit, Prokuroria e Lartë e Shtetit dhe disa gjykata e prokurori të tjera.
Në anën tjetër, shqiptarët janë fuqizuar edhe në fushën e sportit. Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut udhëhiqet nga shqiptarët, Federata e Boksit dhe e Mundjes po ashtu.
Avokati i Popullit dhe Avokati i Shtetit po ashtu janë shqiptarë, bashkë me shumë pozita të tjera të rëndësishme në pozita udhëheqëse brenda drejtorive dhe sekretariateve shtetërore si dhe të trupave rregullues.
Edhe aspekti ekonomik i fuqizimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është evident. Shqiptarët aktualisht menaxhojnë mbi 3.5 miliardë euro projekte dhe përgjegjës është zëvendëskryeministri i parë.
Shqiptarët kanë iniciuar projekte të rëndësishme infrastrukturore edhe në planin e afrimit të qyteteve të ndryshme shqiptare në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.
Një shembull për këtë mund të paraqesë projekti i Bechtel Enka i Korridorit 8 që lidh Shkupin me Tiranën, Durrësin dhe Vlorën. Ose autostrada Shkup – Prishtinë dhe Tetovë – Prizren.
Gjithashtu, projekte të tjera të rëndësishme janë edhe hekurudha Shkup – Durrës, rruga e Arbrit Kërçovë – Dibër dhe lidhjen energjetike Manastir Elbasan për gasifikimin.
Arsimi është një fushë tjetër ku shqiptarët janë më të fuqizuar se kurrë. Ata tanimë kanë 3 universitete shtetërore dhe nuk ka asnjë shkollë të mesme që nuk është edhe në gjuhën shqipe, rrjedhimisht 29.5 përqind në shtet.
Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, edhe në uniforma të policisë, edhe në presidencë, Kuvend, Qeveri, Komuna etj.
Shqiptarët kanë poashtu edhe ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve shqipe, kanë agjenci për zbatimin të gjuhës shqipe, inspektorat për gjuhën shqipe, kontrollojnë territor në komuna gati sa Kosova.
Të gjitha këto arritje në Maqedoninë e Veriut janë arritur nën udhëheqjen e Ali Ahmetit tek shqiptarët. Ndërsa, në zgjedhjet e fundit, shqiptarët janë sërish të ndarë në dy kampe.
Tentimi për rrëzimin e Ali Ahmetit dhe pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut:
Në këtë pikë-vështrim, pjesëmarrja e partisë në pushtet në Kosovë Lëvizjes Vetëvendosje me kryetar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pritet t’i thellojë ndasitë midis shqiptarëve në MV.
Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, u shpreh i befasuar pasi që tha se ka parë vetëm raste kur parti të huaja mbështesin parti simotra në zgjedhje të vendeve të tjera, por jo edhe të marrin pjesë vetë në to.
“Unë deri tani nuk kam dëgjuar që parti nga shtete tjera të marrin pjesë në procese zgjedhore në shtete të tjera. Megjithatë, duhet të shihet se çfarë saktë mendon blloku opozitar pasi nëse partitë nga shtetet fqinje nisin të marrin pjesë në zgjedhjet në shtetin tonë, atëherë mund të ndodhë që parti edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, tha Kovaçevski.
“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar. Megjithatë, duhet të shihet se si e mendojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe gjithsesi që duhet të shikohet Kodi Zgjedhor sa u përket partive që janë të regjistruara e kështu me radhë”, shtoi ai.
VV-ja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.
Pjesëmarrja e VV-së në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut – një gabim kapital me pasoja?
Njohësi i çështjeve politike, Lulzim Peci nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është gabim kapital me pasoja të rënda për Kosovën.
Sipas tij, si pikë e parë do të dëmtohen marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe njëkohësisht do të dobësohet pozicioni i shqiptarëve në këtë vend. Ky akt, nga Maqedonia siç shprehet ai do të lexohet si një agresion në skenën politike nga një vend tjetër.
Pika e dytë, është edhe më e rëndë sesa e para. Peci ka thënë se me këtë do t’i legjitimohet Vuçiqit të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës me partinë e tij e cila mund t’i fitojë deri në 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe me këtë të jetë pjesë e qeverisë.
Së treti, me këtë akt mund dhe do të dëmtohen marrëdhëniet e Kosovës me perëndimin kur dialogu me Serbinë është në mes të rrugës dhe Kosova qëndron nën sanksionet e BE-së.
Peci është shprehur se “Në sytë e perëndimit, “bota serbe” dhe “bota e Albinit” do të shikohen me të njëjtat thjerrëza”. /Paparaci.com


