Kancelari gjerman, Olaf Sholc, sot në Berlin ka deklaruar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë të Evropës së lirë dhe demokratike dhe se puna e përbashkët e BE-së dhe rajonit është që të shndërrohet në realitet e ardhmja e premtuar evropiane.
Në hapjen e samitit në kuadër të Procesit të Berlinit, sic percjell KlanM, Kancelari Sholc ka thënë se takimi i sotëm është mundësi që të bisedohet për shumë sfida me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
Ai ka shfaqur bindje se Procesi I Berlinit jo vetëm që mund ta lirojë potencialin e rajonit, por edhe ta përshpejtojë rrugën e tij drejt BE-së.
Sipas kancelarit gjerman, “në kohën e luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës, është koha që të tejkalohen konfliktet e brendshme”.
Sholc, sic njofton KlanM, ka thënë se në samitin e sotëm të shefave të qeverive të Ballkanit perëndimor dhe përfaqësues të BE-së, do të bisedohet për tri marrëveshjet që janë tejet të rëndësishme për ndërtimin dhe integrimin e tregut të përbashkët rajonal.
Sipas tij, kjo është e rëndësishme për lehtësimin e kontakteve në rajon në kuptimin më të gjerë dhe për ndërtimin e së ardhmes së integruar pa kufij të brendshëm.
Duke potencuar se premtimet e sotme për Ballkanin Perëndimor jepen me ndjenjën e urgjencës, Kancelari gjerman Olaf Sholc, tha se qytetarët e rajonit mund të llogarisin në Gjermaninë dhe Procesin e Berlinit.