Nëse ka një karakteristikë që i dallon nacionalistët vulgarë, është kjo shkurtpamësia e tyre.
Ata janë “të armatosur” me një mllef, shpirtngushtësi gjer në urrejtje patologjike ndaj tre-katër faktorëve që ata nuk duan të shohin se janë jetike.
Së pari, ata kanë “lindur” me frymën antishqiptare. Prej fillimi kanë penguar në të gjitha mënyrat çdo kërkesë të shqiptarëve për barazi. E kanë “projektuar” në kokat e tyre një Maqedoni pa shqiptarë, ose të paktën, pa shqiptarë që janë faktorë, duke anashkaluar se shqiptarët me shekuj kanë jetuar këtu dhe se nuk mund t’u kundërvihen kërkesave të natyrshme. Duke dashur të ndryshojnë realitetin shoqëror, ata i shkaktuan jo pak trauma këtij vendi duke e futur edhe në situata të rrezikshme destabilizimi.
Ata nuk e kanë kuptuar ende se shqiptarët janë një shtyllë e zhvillimit dhe ekzistencës. Shqiptarët duke qenë në orientimin e drejtë të tyre, kanë qenë edhe faktori që në momente të caktuara, e ka ruajtur këtë kurs, kundrejt nacionalistëve aventurierë që ende me nostalgji shikojnë nga lindja pansllaviste prej të cilit historia ka shënuar vetëm përvoja të hidhura për popullin e tyre.
Nacionalistët vulgarë të tipit të Apasievit ose dhe ndonjë tjetri, urrejnë perëndimin, sepse në mendjen e tyre kanë ngulitur bindjen se perëndimi është pro shqiptarëve dhe kundër maqedonasve! Ndaj dhe preferojnë Moskën më tepër se BE-në, SHBA-të dhe NATO-n. E vërteta është krejtësisht tjetër: me hyrjen në NATO Maqedonia e Veriut hyri në çadrën e sigurisë kolektive dhe është e sigurt nga çdo kërcënim i jashtëm. Në anën tjetër, po këtë rol e ka edhe partneriteti strategjik me SHBA-të. Ndaj kur të kthehemi prapa, mund të themi se sa ishte shkurtpamës nacionalizmi i cili u hodh në grabitjen e të kaluarës antike të popujve të tjerë, dhe duke futur veten në paudhësi, për të vështirësuar procesin e negocimit të emrit kushtetues, duke e trajtuar atë tragjedi kombëtare. Kur kjo situatë tashmë është tejkaluar, tregon gjithë mungesën e vizionit të atij nacionalizmi vulgar. Një kompromis i vogël pa e rrezikuar gjuhën dhe identitetit, i ka lënë këta nacionalistë pa fjalë, por ata nuk jepen lehte dhe ende shpërpushen me shpirtngushtësinë e tyre, duke propaguar ende ide që Maqedonin e kthejnë prapa.
Edhe tash, këta nacionalistë nuk kanë ecur me kohën dhe realitetin dhe ende godasin në shtyllat që këtë vend e mbajnë stabil dhe në kursin e drejtë. /Indeks.mk