Siç kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Shaqiri potencoi se mbështetja që BE-ja ia jep vendit tonë është shumë e rëndësishme për realizimin e proceseve reformuese në të gjitha sferat, duke përfshirë edhe arsimin, duke vënë në dukje veçanërisht reformat në arsimin fillor, që filluan këtë vit shkollor si dhe afrimin e arsimit të mesëm profesional ndaj nevojave të tregut të punës.
“E filluam mësimin në klasën e parë dhe të katërt sipas programeve të reja, të cilat synojnë ta afrojnë shkollimin tonë me sistemet më të mira arsimore evropiane dhe të ndërtojmë breza me vlera evropiane si respekti për diversitetin, tolerancën, multikulturalizmin. Mbështetja konstruktive që marrim nga partnerët tanë nga Bashkimi Evropian, përmes programeve IPA, kontribuon në riorganizimin më të shpejtë të arsimit të mesëm profesional dhe forcimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, si një kontribut për punësim më të madh, lëvizshmëri dhe integrim social të qytetarëve”, tha ministri. Shaqiri.