Sabotimi i ndryshimeve kushtetuese, lejon propagandën ruse të mobilizohet sërish në Maqedoninë e Veriut!

Në janar të këtij viti, Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) nga Shkupi publikoi një analizë të narrativave propagandistike dhe studimeve të rasteve mbi dezinformimin rus dhe pro-rus në Maqedoninë e Veriut. Autori i analizës, Zharko Trajanoski pë Dojçe Vele në gjuhën maqedonase ka thënë se bllokada e Greqisë për pranimin e Maqedonisë në NATO në vitin 2008 i lejoi Rusisë të forconte ndikimin e saj në Maqedoni, duke përfshirë “aktivitetet inteligjente-propagande përmes vendosjes së organizuar të informacionit dhe dezinformimit”, përcjell Indeks.mk

“Fushatat ruse të dezinformimit në vend u perceptuan shpesh si pjesë e propagandës rajonale të ndikimit rus në Ballkan, e cila kishte për qëllim ndalimin e zgjerimit të NATO-s. Mund të thuhet se aktiviteti propagandistik rus në Maqedoni doli nga hija pas shpërthimit të krizës politike në fillim të vitit 2015. Fushatat dezinformuese kundër Perëndimit, të cilësuara si kërcënim për unitetin dhe stabilitetin e Maqedonisë, u përhapën me vite përpara se vendi të anëtarësohej në NATO, kryesisht gjatë krizës politike maqedonase 2015-2017, gjatë Marrëveshjes së Prespës dhe referendumit në 2018, si dhe gjatë ndryshimeve kushtetuese. Propaganda ruse me dezinformata nuk u ndal as pas anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Bllokimi i fillimit të negociatave të shumëpritura me BE-në, fillimisht nga Franca në vitin 2019, e më pas nga Bullgaria në vitin 2020, i dha propagandës ruse një përparim të ri komunikimi në Maqedoninë e Veriut”, thotë Trajanoski.

Pas pushtimit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë në vitin 2022, sipas autorit, vërehet një ndikim edhe më i fortë i rrjetit propagandistik rus në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Ballkan.

“Kushti që ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut pas fillimit të negociatave me BE-në – amendamentet kushtetuese që kërkojnë një shumicë prej dy të tretash – lejon propagandën ruse të mobilizohet sërish dhe të përhapë dezinformata dhe teori konspirative në Maqedoninë e Veriut. Pothuajse të njëjtat rrjete propagandistike, kanale komunikimi dhe narrativa dezinformuese për rrezikimin e identitetit, gjuhës dhe popullit maqedonas, të cilat u përdorën në vitin 2018 gjatë Marrëveshjes së Prespës dhe referendumit, janë aktive në vitin 2022 dhe 2023. Qëllimi i ndikimit të propagandës ruse në Maqedoni nuk është vetëm mbjellja e konfuzionit, por parandalimi i vazhdimit të negociatave me BE-në, minimi i mëtejshëm i besimit në BE, NATO, Perëndim dhe institucionet demokratike, si dhe forcimi i ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut”, shkruan në analizën e IMA.(Indeks.mk)