Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong U, u largua nga Rusia të dielën me trenin e tij të blinduar, raportuan mediat ruse, duke përmbyllur vizitën e tij gjashtëditore që gjerësisht u përqendrua në çështje ushtarake.

Vizita e parë e Kimit jashtë vendit që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit u përcoll me frikën e Perëndimit se Moska dhe Pheniani do të sfidojnë sanksionet dhe do të arrijnë një marrëveshje për armët.

Agjencia e lajmeve, Ria Novosti, publikoi një video që shfaqte Kimin duke u larguar. Kjo agjenci raportoi se “ceremonia e largimit” u mbajt në stacionin Artyom-Primorsky-1, ndërkaq agjencia TASS tha se treni i Kimit u nis rreth 250 kilometra drejt kufirit.

Videot e publikuara shfaqën Kimin duke u përshëndetur me delegacionin rus të kryesuar nga ministri për Burime Natyrore, Alexander Kozlov.

Më herët gjatë 17 shtatorit, TASS tha se Kimit iu dhanë pesë dronë shpërthyes, një dron vëzhgues dhe një jelek antiplumb si dhuratë nga një guvernator rajonal.

TASS raportoi se “lideri i Koresë së Veriut pranoi pesë dronë kamikazë dhe një dron vëzhgues të llojit Geran-25, që mund të lëshohet vertikalisht”.