Kur ndodhin ngjarje si ndërrimi i liderit në krye të një subjekti, me inerci shtrohet dilema: çfarë ndryshimesh do të ndodhin? Çfarë kursi politik të ri do të ketë? Çfarë rruge do të ndjekë udhëheqësi i ri?
Normalisht, njerëzit janë si gishtat e dorës, asnjëri s’është sa tjetri. Ndaj dhe në rastin e ndërrimit të lidershipit të partisë Aleanca për Shqiptarët, e shtrojnë këtë dilemë: Çka do të sjellë kryetari i sapozgjedhur të shtunën, ndryshe nga Zijadin Sela?
E këtu ka një enigmë aspak të pazgjidhshme. Zijadin Sela e udhëhoqi partinë nga “reformimi” i PDSH-së gjer te Aleanca, me një ngritje të konsiderueshme që e bëri subjekt të dytë ndër partitë shqiptare, si një shpresë për politikë ndryshe. Është fakt se në kohën e tij, ASH-ja pati dhe disa bashkëveprime të frytshme me partitë shqiptare, duke përfshirë edhe BDI-në, në disa projekte ligjore(gjuha…), por zgjedhja e Arben Taravarit kryetar të Gostivarit, përzjeu shumë punë në këtë parti, e spostoi qendrën e veprimit të ASH-së në nivel lokal, mbase në të mirë të karrierës politike të Taravarit), që u bë barrë edhe për veprimet tjera të mëvonshme.
Përpjekjet që pasuan për ta ngritur partinë nga niveli lokal në nivel qendror, shkoi rrugës së gabuar, përmes bashkëpunimeve të pashembullta me partitë opozitare maqedonase, që me “operacione matematikore” e jo rezultateve zgjedhore, të ndërrojnë statusin me shumicë të reparlamentare. Në këtë pikë, më i zellshmi, më i zëshmi, ishte Arben Taravari.
Dhe tash kur ai arriti të bëhet lider i partisë, enigma për të cilën flasim nuk ekziston. Prej tij tash mund të pritet vetëm vazhdimësi e asaj që deri tash u tregua e gabuar dhe madje fatale si për ASH-në, si për Zijadin Selën. Pra, mund të pritet vetëm bashkëpunim edhe më i thellë me VMRO-në e Mickovskit, si një leksion i pamësuar nga disfata e pësuar në zgjedhjet e përgjithshme lokale të fundit dhe zgjedhjet për këshill komunal të Tetovës, ku pikërisht bashkëpunimi me VMRO-në ishte shkaktari kryesor i humbjes. Faturën për këtë rënie të ASH-së, ndoshta dhe pa të drejtë e pagoi (vetëm)Sela, sepse ithtari më i madh dhe realizuesi i këtij bashkëpunimi ishte Arben Taravari, dhe bashkë me të Parin, duhej të shkonte edhe i Dyti.
Edhe sa kohë do të duhet të kalojë në ASH që ta kuptojnë se “rruga e re” e Arben Taravarit, s’është gjë tjetër pos asaj të trazuar më herët dhe se e çon në të njëjtin qorr-sokak!


