Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Facebbok ka shpërndarë fotografi dhe video nga Samiti i NATO-s në Madrid, ku shihet se si bisedon me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Rama në të njëjtin postim ka shpërndarë edhe fotografi të përbashkët mes kancelarit gjerman Olaf Shcholz, presidentin francez Emanuel Macron dhe kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, përcjell TV21. Rama në mbishkrimin e postimit shkruan: “Mbase sot lajmi i mirë…🤞”.
Ndryshe, sot është dita e fundit e presidencës franceze me Bashkimin Evropia, e cila dorëzoi propozim deri tek Shkupi dhe Sofja zyrtare për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, pranimi i të cilës do të mundësonte hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas propozimit francez, Maqedonia e Veriut duhet t’i njohë bullgarët në preambulën e Kushtetutës së saj si një nga grupet etnike përbërëse të shtetit. Shkupi zyrtar e ka bërë të qartë se propozimi francez është “i papranueshëm”, pasi, siç ka thënë, nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.
Sipas Shkupit, pala bullgare ka ndryshuar tekstin e propozuar. Ndryshimet thuhet se kanë të bëjnë me kërkesën për nënshkrimin e një protokolli mes dy vendeve, i cili do ta detyronte Shkupin të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë pakicën bullgare në të, përpara se të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Tutje, Parlamenti bullgar ka përfshirë në tekst edhe garancitë që i kërkon nga Këshilli Evropian, sipas të cilave, ky i fundit, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duhet ta njoftojë Sofjen me plotësimin e kushteve nga Maqedonia e Veriut.
Sofja gjithashtu ka përmirësuar draft-kornizën e propozuar, me kërkesën që “asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e ekzistimit të gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë”.