DENKOV: PRIORITETE JANË EKONOMIA, SIGURIA KOMBËTARE DHE ENERGJETIKE
Presidenti bullgar Rumen Radev, në kërkim të kryeministrit të ri, sot ia ka dorëzuar mandatin për formimin e qeverisë së re Nikollaj Denkovit, akademik i propozuar nga partia “Vazhdojmë me ndryshimet”. Që të marrë dritë jeshile, Denkovit do t’i nevojitet mbështetja e shumicës së deputetëve në Kuvendin Popullor me 240 vende, të cilën para dy javëve nuk arriti ta sigurojë mandatari i parë, Nikollaj Gabrovski, i propozuar nga partia “GERB”. Në zgjedhjet që u mbajtën në fillim të muajit tetor, më së shumti vota fitoi partia “GERB”, ndërsa “Rilindja” nga e djathta ekstreme dhe pro-ruse, me qëndrimin më të ngurtë në lidhje me “çështjen maqedonase” mori mbështetje dyfish më të lartë dhe 27 deputetë.
“Vazhdojmë me ndryshimet”, partia e ishkryeministrit Kiril Petkov, këtë herë për mandatar për formimin e kabinetit qeveritar e nominon akademikun Nikollaj Denkov. Dosjen si kryeministër i ri potencial sot Denkovi e pranoi nga Presidenti Rumen Radev, përpjekja e tij e dytë pasi muajin e kaluar Kuvendi Popullor nuk i dha mbështetje mandatarit të partisë “GERB”, Nikollaj Gabrovski. Prioritete të Denkovit janë ekonomia, siguria kombëtare dhe sundimi i së drejtës, siguria energjetike dhe ulja e dallimeve në shoqëri.
“Prioritetet themelore janë katër dhe janë të formuluara që t’i bashkojnë të gjitha fuqitë politike dhe qytetarët që ato i përfaqësojnë. Këto janë qëllimet reale për vitin 2023” – tha Nikollaj Denkov, mandatar Bullgari.
Bullgaria në periudhë prej dy vitesh organizoi katër zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, por nëse edhe Denkovi nuk siguron shumicë në Kuvend nuk përjashtohet edhe rrethi i pestë i votimeve. Spektri politik në vend është i ndarë në raport me më shumë çështje, në mesin e të cilave edhe në raport të përcaktimit drejt Perëndimit ose drejt Rusisë, përkatëisisht në lidhje me mbështetjen dhe ndihmën për Ukrainën dhe agresionin rus në vend. Çështjen për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut Denkovi nuk e përmendi në mesin e temave për të cilat foli sot para gazetarëve, pasi e mori mandatin nga Presidenti Radev. /KlanMacedonia/


