[ad_1]

Ndërsa lufta ka hyrë në javën e saj të gjashtë, numri i ukrainasve që kanë vendosur të mos qëndrojnë në vendet e Bashkimin Evropian është në rritje.

Qindra ukrainas, pothuajse tërësisht gra, fëmijë dhe të moshuar, qëndruan në radhë për trenin e natës për në Kiev në Przemyśl, qendra kryesore e refugjatëve në Poloninë juglindore, të hënën mbrëma, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Midis tyre ishte Natalia, 46 vjeçe, e mbështjellë me një pallto të trashë dhe shall, duke pritur në radhë për pjesën e parë të udhëtimit të saj në Zaporizhzhia – pasi la djalin e saj 16-vjeçar në qytetin polak të Katowice.

Njerëzit qëndrojnë në radhë duke pritur një tren për në Kiev nga Przemyśl – më 29 mars 2022

“Gjëja kryesore ishte të nxirrja fëmijën tim jashtë nga Ukraina”, tha ajo për Euronews. “… E solla, e lashë të jetojë këtu derisa të përfundojë lufta dhe të kthehem te burri dhe nëna ime”.

Zaporizhzhia, një qytet në Ukrainën juglindore, ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme dhe granatimeve pa dallim nga forcat ruse që nga fillimi i agresionit.

Ai është gjithashtu vendi ku gjendet centrali më i madh bërthamor në Evropë, bombardimi i të cilit në fillim të marsit dhe shpërthimi i një zjarri ngjalli shqetësime se një shkelje e mundshme e reaktorëve të tij dhe shkrirja që rezulton mund të shkaktojë një fatkeqësi masive – e para e këtij lloji që nga fatkeqësia në Çernobil e ndodhur në vitin 1986.

Ndryshe, më shumë se 3.9 milionë ukrainas u larguan nga vendi i tyre që kur Rusia sulmoi këtë vend më shumë se një muaj më parë – shumica prej tyre duka ia mësyrë Polonisë.

Por për Natalian, një rënie e intensitetit e kohëve të fundit në luftime hapi mundësinë e kthimit, pasi alternativa e qëndrimit jashtë vendit bëhej gjithnjë e më e paqëndrueshme.

Madje, ajo mendon se shumë nga bashkatdhetarët e saj e ndjejnë të njëjtën gjë.

Fëmijët ukrainas sillen në një automjet të ambulancës pasi mbërrijnë në Przemyśl

“Shumë po kthehen sepse nuk mund të gjenin strehim, nuk mund të gjenin punë – nuk kishte mundësi të jetonin këtu. Ne nuk jemi të pasur dhe nuk synonim të vinim këtu për pushime”.

“Në shtëpi të paktën ne mund të jetojmë me burimet tona. Shtëpia është shtëpi”, theksoi Natalia, përcjell Telegrafi.

Të tjerë në stacion thanë se një nga arsyet e kthimit të tyre në shtëpi ishte gjithashtu një përzierje shqetësimi për anëtarët e familjes dhe mungesa e sigurisë në vendet e tyre të strehimit.

Yuri, një profesor juridik 71-vjeçar, tregoi se po kthehej në Kiev për shkak të nënës së tij të moshuar që ishte vetëm në kryeqytet.

“Është një problem që duhet ta zgjidh. Por aty kam edhe miqtë e mi, librat, kompjuterin. Ndihem më rehat atje”.

Por jo të gjithë po kthehen përgjithmonë.

Disa janë vetëm në rrugë për të marrë të tjerët – qofshin anëtarë të familjes apo kafshë shtëpiake – në mënyrë që t’i çojnë në një vend më të sigurt.

Marina, 34 vjeçe, po shkonte në Lviv për t’u takuar me prindërit e saj për të marrë vajzën e saj 13-vjeçare për në Holandë.

Ajo priti bashkë me qindra të tjerë të martën mbrëma, ndërsa shiu filloi të binte – mes informacioneve nga vullnetarët se treni i Kievit ishte vonuar me pothuajse tri orë.

Ata që ishin mbledhur në platformë pritën me durim, ndërsa më shumë se një duzinë fëmijësh filluan të lodheshin dhe të mos ndjeheshin mirë.

“Unë jam pak i frikësuar, por pashë që shumë njerëz po kthehen në përgjithësi dhe u lumturova kur pashë që njerëzit nuk kanë frikë. Njerëzit shkojnë në vende që janë edhe më pak të sigurta se Lviv ose Poltava. Dhe kjo më dha kurajo”, tha ajo për Euronews, përcjell Telegrafi.

Maciek nga Szczecin ka qenë vullnetar për JDC, një organizatë hebreje e ndihmës, që nga fillimi i agresionit rus.

Ai bëri një pushim për disa ditë përpara se të kthehej në Przemyśl të dielën dhe tha se ishte i befasuar që numri i njerëzve që vinin nga Ukraina u ul ndjeshëm.

Njerëzit presin në radhë për udhëtimin për në Kiev – në Przemyśl, më 28 mars 2022

Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve që kthehen në shtëpitë e tyre është rritur deri në pikën ku ai dhe vullnetarë të tjerë besojnë se po aq njerëz po kthehen tani sa ikin nga lufta – të paktën kur bëhet fjalë për ata që udhëtojnë nëpër stacionin e trenit Przemyśl.

“Dy javë më parë, kur isha këtu, ishte një rrëmujë e madhe. Por tani vala është shumë më e vogël, dhe ju mund të vini re veçanërisht se shumë njerëz po kthehen. Shumë prej tyre po e marrin këtë vendim”.

“…Ndjej se shumë më pak njerëz po ikin”, tha ai për Euronews.

Në këtë drejtim, Policia Kufitare Polake deklaroi se sipas të dhënave të saj, rreth 21,000 ukrainas hynë në vend, ndërsa rreth 12,000 u larguan të hënën. Gjithsej 364,000 njerëz janë kthyer në Ukrainë që nga 24 shkurti.

Polonia ka qenë destinacioni më i madh i vetëm për refugjatët që ikin nga Ukraina, me rreth 2.3 milionë njerëz që mendohet se janë pritur atje, sipas shifrave të OKB-së.

Dhe për disa ukrainas, jeta në Poloni është provuar të jetë sfiduese dhe situata e tyre u bë e dëshpëruar për shkak të mungesës së burimeve financiare, tha Maciek.

Shumë refugjatë në Poloni duhej të mbështeteshin në dashamirësinë e njerëzve të zakonshëm ndërkohë që tregu i punës dhe arsimi i lartë mbeten të vështira për të pasur qasje për shumë njerëz.

Më herët në mars, zyrtarët e OKB-së paralajmëruan se deri në 90% e ukrainasve po përballeshin me varfërinë dhe cenueshmërinë ekstreme ekonomike, duke e kthyer vendin me dekada prapa dhe duke lënë plagë të thella ekonomike. Refugjatët janë veçanërisht të rrezikuar.

Një numër organizatash humanitare dhe të të drejtave të njeriut kanë ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë e atyre që vijnë nga Ukraina (në vendet tjera), duke përfshirë shkeljet e mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore.

Njerëzit zbresin nga një tren në Przemyśl, më 29 mars 2022

Por problemi më i madh është mungesa e kapaciteteve, me disa nga ata që kthehen thonë se kanë kaluar javë të tëra duke fjetur në salla sportive dhe shkolla në pjesë të largëta të vendit, të pasigurt nëse do të jenë në gjendje të gjejnë një rregullim më të mirë për ta dhe familjarët e tyre nëse do të prisnin edhe pak.

“Njerëzit po kthehen për shkak të realitetit këtu”, tha Maciek.

“Nëse mund t’i thuash botës, gjithçka që është e mirë këtu është kryesisht për shkak të njerëzve në Poloni. Jo qeverisë”, përfundoi ai.

Por, sipas zëdhënësit të UNHCR-së, Rafał Kostrzyński, qeveria polake po bënte një punë të jashtëzakonshme.

“Qeveria po ecën jashtëzakonisht mirë, duke pasur parasysh numrin e lartë të të ardhurve”, tha ai për Euronews, përcjell Telegrafi.

“Ata i mbajtën kufijtë hapur, që është një qasje shumë e mirëpritur. Ata hapën kufijtë jo vetëm për refugjatët ukrainas, por edhe për shtetasit e vendeve të treta, gjë që është gjithashtu për t’u përshëndetur”.

“Problemet ekzistojnë – ka boshllëqe, ka rreziqe, e kështu me radhë – por duke pasur parasysh të gjithë kontekstin dhe duke marrë parasysh situatën shumë komplekse, fati i refugjatëve këtu në Poloni nuk është aq i keq”, vlerëson Kostrzyński.

“Ata marrin ndihmë – jo gjithmonë në masën që dëshirojnë, por marrin ndihmë”. /Telegrafi/