KOSOVË: Premtohet mbështetje kundër kancerit të gjirit

Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje të gjitha grave për kontrolle të shpeshta për të parandaluar sëmundjen e kancerit të gjirit.

Para fillimit të marshit tradicional “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, ajo është zotuar se që nga viti i ardhshëm, presidenca do të mbështes të gjitha gratë me pako onkologjike të protezave gjoksore.

“Për të gjithë ata që ndjejnë sot dhimbjen e humbjes e ndajmë dhimbjen me ju. Jemi këtu se kontrolli i hershëm dhe preventiva shpëtojnë jetë. Dua të ritheksoj se kontrolli i hershëm parandalon dhe shpëton jetë. Armiku më i madh i kancerit të gjirit është kujdesi”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shifrat e grave të prekura me kancer të gjirit janë të mëdha.

“Tetori i kushtohet grave që luftojnë me vendosmëri për jetën. Tetori u kushtohet edhe atyre grave që ndërgjegjësojnë të tjera gra. Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, janë shifra të mëdha dhe duhet t’i mbështesim institucionalisht, sikur të ishin edhe më pak shifra. Në këtë drejtim, ne duhet të bëjmë shumë. Si qeveri kemi siguruar buxhet për listën esenciale të barnave”, ka thënë ai.

Nafije Latifi, e cila ka luftuar vet me këtë sëmundje tha se po vazhdojnë kërkesat e grave të prekura.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” u ka bërë thirrje grave që të bëjnë kontrolla të shpeshta, në mënyrë që të parandalohet sëmundja e kancerit të gjirit.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet