“PD, revolucion deri në rrëzimin e qeverisë”, Noka: Protestat nuk do i ndalojmë

Noka: Fronti opozitar është i bashkuar, aleatët mbështesin kandidatet e PD në zgjedhjet lokale

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka thotë se opozita nuk do të tërhiqet nga revolucioni demokratik deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”.

Në një intervistë për Klan News, Noka deklaroi se protestat do të vijojnë, po ashtu edhe aksioni opozitar brenda parlamentit.

Noka shprehet i vendosur për fitoren e PD në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa deputetin Alibeaj e cilëson mercenar të kryeministrit.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Zoti Noka kemi parë së fundmi që PD ka intensifikuar aksionin e saj opozitar duke filluar nga protesta kombëtare, por edhe protesta para parlamentit. Deri kur do të vijojnë protestat në parlament dhe çfarë skenari ka protesta e 3 Marsit?

Flamur Noka: Siç jeni në dijeni, zhvillimet politike në Shqipëri dhe kryesisht në kohët e fundit e kanë bërë të papranueshme situatën e opozitës. Edi Rama me skandalin “Rama-McGonigal” doli zbuluar si njeriu që ka bërë gjithçka për të pajtuar ‘killer’ politikë, për të likujduar opozitën. Kjo gjë është kalim i çdo kufiri politik në një demokraci. Kjo gjë është tentativë për të likujduar opozitën për të rikthyer monizmin. Pa as më të voglin diskutim, në gjithë këto vite, Edi Rama i ka bërë këto përpjekje. Por këtë radhë ai u kap në flagrancë nga aleati ynë strategjik. Kjo është njëra anë që do të thotë minosje e demokracisë dhe vendosje e monizmit. Ana tjetër… Edi Rama u kap duke goditur në zemër aleatin tonë strategjik sepse të korruptosh një nga titullarët kryesorë të FBI-së, agjencisë kryesore ligjzbatuese amerikane do të thotë që ti ke goditur në zemër institucionin themelor të sigurisë së Amerikës. Ndërkohë që partneri ynë strategjik pret nga ne mbështetje dhe suport, aleancë, ne e godasim. Një goditje që nuk mundi t’ia bëjë as Kina, as Rusia, ia bëri Shqipëria nëpërmjet kryeministrit të saj. Të gjitha këto janë të papranueshme, ndaj shqiptarët nuk mund ta pranojnë. PD është ngritur dhe ka vendosur që të fillojë një revolucion. Revolucion demokratik, paqësor. Revolucioni është një lëvizje e vazhdueshme deri në rrëzimin e synimeve të tij. Realizimi i synimeve të revolucionit që ne kemi nisur është ky. Edi Rama nuk mund të jetë më kryeministër i Shqipërisë dhe ky regjim që është ngritur mbi krim dhe korrupsion duhet çmontuar. Në Shqipëri duhet instaluar një qeverisje, një pushtet, një shtet mbi bazën e kushtetutës dhe të ligjit dhe jo një shtet komunist siç po përpiqet Edi Rama. Ne do vazhdojmë. Protestën e radhës e kishim para parlamentit sepse është një parlament, i cili po asgjeson fjalën e lirë. Duke bërë gjithçka për të vazhduar skenarin e Ramës për të likujduar opozitën, duke ndaluar përfaqësuesit e opozitës të hyjnë në parlament. Keni parë ndonjë parlament të botës që të zgjedhurit për të përfaqësuarin popullin të ruhen me gardë. Keni parë ndonjë parlament që të përjashtohet tre çereku i deputetëve të opozitës? Pse? Sepse sa përmendet fjala Edi Rama dhe McGonigal, spikerja e parlamentit bllokon fjalën dhe pastaj i përjashton. Pra të sulmosh Ramën politikisht dhe të përmendësh McGonigalin në parlament është krim. Kjo është e papranueshme për ne. Të gjitha këto bëjnë që ky revolucion të vazhdojmë. Ne me datë 3, ditën e premte, kemi thirrur protestën e radhës për t’i thënë stop këtij regjimi, për t’i thënë Edi Ramës që ti nuk mund dhe nuk do të lejojmë kurrë të shuash opozitën apo edhe të emërosh pseudoopozitë. Ti mund të marrësh peng çiftin Alibasha, por kurrë demokratët nuk mund t’i mbash peng. Për t’i thënë që ne refuzojmë regjim dhe ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe parlamentarizmin në këtë vend, për të mbrojtur lirinë sepse fjala e lirë këtu po asgjesohet. Atëherë ne jemi në vetëmbrojtje. Në vetëmbrojtjen tonë si demokratë, të demokracisë dhe parlamentarizmit. Jemi të vendosur që në këtë revolucion kushdo që është pjesë e skenareve të tilla ogurzeza për demokracinë, do të marrë përgjigjen që meriton. Të jeni të sigurt që sapo ka nisur dhe asgjë nuk do ta ndalë këtë revolucion deri në arritjen e qëllimit final.

Klan News