Osmani: Skriningu fillon menjëherë pas Konferencës së parë ndërqeveritare

Reciprociteti është parimi që qëndron në Protokollin i cili sot u nënshkrua në Sofje nga ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska që siç sqaroi Osmani në brifingun e sotëm me gazetarët, në formë juridike paraqet procesverbal nga takimi në të cilin bëhet një përmbledhje e rezultateve të arritura të dialogut dhe bashkëpunimit ndërsektorial për periudhën e viteve 2019-2022.

Më faktin se Komisioni ndërqeveritar nuk është mbledhur që nga viti 2019, pas vetos bullgare, në dokumentin e nënshkruar përfshihet periudha trevjeçare dhe zakonisht ky dokument nënshkruhet një herë në vit.

Osmani sot para gazetarëve ka prezantuar përmbajtjen e Protokollit i cili përveç të dhënave mbi dialogun politik, takimet, punën e grupeve ndërsektoriale përmban edhe pikat e pakos katër plus një dhe çfarë pritet nga dy vendet në ato sfera konform Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë.

Përkrahja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut është pjesë përbërëse e Protokollit, ndërsa këtu sqarohet mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në e cila në rastin e vendit ndahet në dy faza: konferenca politike, fillimi i procesit të skrinigut, pastaj konferenca e dytë dhe hapja e kapitujve, por pasiqë Maqedonia e Veriut t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Osmani sot theksoi se skriningu fillon menjëherë pas konferencës ndërqeveritare më 19 korrik.

Republika e Bullgarisë shpreh gatishmërinë të pajtohet të mbahet konferenca e parë politike ndërqeveritare me BE-në me mirëkuptimin se konferenca e ardhshme ndërqeveritare për kompletimin e fazës së hapjes së negociatave për anëtarësim do të mbahet menjëherë pasi Republika e Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e saj do t’i përfshijë ato qytetarë të saj të cilët jetojnë në territorin e shtetit dhe janë pjesë e popujve të tjerë, siç është populli bullgar, theksohet në Protokoll.Konform propozimit francez, pasnesër mbahet konferenca ndërqeveritare, pastaj skriningu një vit e gjysmë, pas përfundimit të skriningut do të ketë konferencë të dytë ndërqeveritare, për të nuk ka vendim të ri të Këshillit Evropian, por nesër në orën 18 e 30 merren vendime për dy konferencat dhe për të parën para skriningut dhe për të dytën pas saj, me atë që e dyta kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese”, tha Osmani.

Ai theksoi se një pjesë e popujve të tjerë, të njëjtën që kanë komunitetet e tjera në vend, pra pjesa ku qëndron populli serb, vllah, rom… vazhdon pjesa populli kroat, malazez, bullgar. Thotë se kjo nuk është risi, duke përmendur këtu Kroacinë e cila në Kushtetutën e saj përfshin 25 komunitete para se të bëhet anëtare e Unionit.

Në dokument theksohet se Qeveria e Maqedonisë së Veriut pajtohet që konferenca e ardhshme ndërqeveritare për kompletimin e fazës së hapjes së negociatave për anëtarësim të mbahet pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kushtetutë për përfshirjen e atyre qytetarëve të saj që jetojnë në territorin e shtetit, ndërsa janë pjesë e popujve të tjerë, siç është populli bullgar, konform procedurave të brendshme përfshirë edhe ligjin kushtetues për zbatimin e tyre.

“Këtu kishte spekulime se si mundet Qeveria të marrë obligim në emër të Kuvendit. Pra, Qeveria nuk merr përsipër detyrim në emër të Kuvendit, por Qeveria pajtohet se konferenca e dytë do të ndodhë, pasi Kuvendi të miratojë një vendim për përfshirjen e bashkësive”, shtoi Osmani.

Qeveria bullgare, nga ana tjetër, pas miratimit të konkluzioneve të Këshillit të BE-së, konform propozimit përfundimtar të Presidencës franceze, shpreh gatishmëri të tërheqë rezervat e saj për lidhje të propozim- marrëveshjes mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për statusin e Fronteks-it.

Lidhur me atë se ku është reciprociteti për të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari, Osmani u përgjigj se rregullimi kushtetues i Bullgarisë nuk njeh bashkësi etnike, sikurse nuk njohin kushtetutat e Francës dhe Greqisë.“Atje janë një milion turq të cilët nuk mund të regjistrojnë parti turke, ky është sistemi i rregullimit, asisoj janë edhe Franca dhe Greqia. Kushtetuta nuk njeh organizim të qytetarëve në baza etnike. Tek ne Kushtetuta është ndryshe. Mendoj se kjo ka qenë arsyeja në vitin 1999 në deklaratën e përbashkët mes kryeministrave të atëhershëm Lubço Georgievski dhe Ivan Kostov, paragrafi i të cilit është riafirmuar në nenin 11, paragrafi i pestë nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe tani RMV konstaton se asgjë nga Kushtetuta e saj nuk mundet apo duhet të përbëjë ndërhyrje në punët e brendshme të Bullgarisë. Ky është pozicioni i vetëm asimetrik në marrëveshjen”, thekson ministri Osmani.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet