Kryesuesi i OSBE-së për vitin 2023 dhe ministri i jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij përveç luftës në Ukrainë, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë edhe rajoneve të tjera të krizës, siç ka potencuar ai, “duke forcuar më tej misionet e paqes së OSBE-së në terren”, shkruan desk.al
“Si kryesues e OSBE-së 2023, Maqedonia e Veriut, përveç luftës në Ukrainë, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë rajoneve të tjera të krizës, duke forcuar më tej misionet e paqes së OSBE-së në terren. OSBE-ja mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, me qëllim uljen e tensioneve, forcimin e parashikueshmërisë, rivendosjen e kanaleve të komunikimit dhe dialogut”, thotë shefi i diplomacisë Bujar Osmani.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së në promovimin e parimeve dhe obligimeve të OSBE-së.
“Ne presim bashkëpunim edhe gjatë kryesimit tonë me OSBE 2023, siç jemi dakorduar në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në” potencon ai.
Osmani këto komente i ka bërë në margjinat e takimit ministror të OSBE-së, në të cilin ka zhvilluar takim edhe me Viktorija Nulland – nënsekretare për çështje politike në Stejt Departamentin Amerikan.


