Opozita maqedonase, pre e lehtë i nacionalistëve bullgarë!

Shkup, 13 korrik/indeks.mk/-Në politikë ndjenjat pa vizion, krijojnë një “turbo-folk” patriotizëm, çfarë është i shpeshtë në Ballkan.

Askush nuk mund t’ia mohojë një qytetari të rëndomtë brengën për interesat e kombit. Ai dëgjon politikanët që flasin për ndonjë rrezik të supozuar, dhe qytetari “zihet” në rrjetën e fjalëve, pa u thelluar më tepër dhe pastaj del në rrugë të shprehë atë brengë, siç mund të ketë shumë sish në këto protesta të cilët me sinqeritet e kanë kuptuar “misionin” për të qenë kundër.

Këtë brengë, madje s’duhet t’ua mohojmë as anëtarëve të partive, sepse edhe ato reagojnë njësoj: kur t’u thonë udhëheqësit e tyre se diçka nuk bën, ata me një telefon dalin në protestë! Shemë e njohur. Por edhe shemë për manipulim.

Nuk do shumë mend, se në këtë “bombardim” verbal që e nxisin liderët opozitarë, shumëkush do t’i bashkëngjitet turmës. Siç me sinqeritet, i cili është afër naivitetit, bashkëngjiten në kor edhe shumë gazetarë e redaksi mediash.(Nuk e kemi fjalën për ato që me vetëdije e bëjnë argatin e dikujt!)

Mund të ketë sinqeritet edhe te liderët opozitarë, të cilët mund të vuajnë nga mungesa e vizionit, edhe pse ndryshe nga qytetarët dhe anëtarët e rëndomtë, ata duhet parasë gjithash të kenë edhe vizion. Nëse nuk kanë, duhet ta braktisin drejtimin e partive të tyre.
Pikërisht për këtë lloj vizioni po flasim, sepse kur është fjala për “propozimin francez” që duhet t’ia hapë dyert Maqedonisë së Veriut për BE, në të dy vendet fqinje, pra këtu dhe në Bullgari, ka subjekte që po e kundërshtojnë, sikundër dhe ka që e pranojnë. Në Bullgari ka një retorikë, me të cilën i fryhet një lloj triumfalizmi se me propozimin francez “Bullgaria fitoi gjithçka”. Një, kjo është për të krijuar iluzionin se vërtet ka fituar ky vend kundrejt Maqedonisë dhe e dyta, në Parlament dhe në opinion më lehtë të pranohet si i tillë, edhe pse çështjet kryesore kontestuese për Bullgarinë, gjuha dhe identiteti, praktikisht ia pranon popullit maqedonas.

Kjo, përveçse e krijon atë lloj percepcioni për nevoja të brendshme, në anën tjetër, ka dhe një funksion tjetër: triumfalizmi bullgar të nxisë defetizmin maqedonas. Kjo, që të nxisë ato forca “të brengosura” maqedonase që të mos e pranojnë propozimin francez. Me këtë, nacionalistët bullgarë mund të arrijnë dy efekte: një, që ta bllokojnë përnjëmend Maqedoninë në BE dhe e dyta, atë që politikanët me vizion duhet të shikojnë prapa malit, të nxisin dhe forcojnë sentimentin pro-rus, që u shkon përshtati edhe atyre qarqeve bullgare që duan një riorientim edhe të vendit të tyre nga Rusia.

Kur të analizohen këto kontekste, vijmë në përfundim dëshpërues se vendi është i dënuar të durojë bëmat e udhëheqje partiake pa vizion, të cilët në emër të mbrojtjes së interesave kombëtare, në të vërtetë rreshtohen gabimisht në proceset shoqërore e historike. Kjo veçmas vlen jo për ato parti të vogla të cilat gjejnë strehim te nacionalizmi(si ishte ajo fjala e një të mençuri, se te nacionalizmi strehohen horrat!), për të dalë nga anonimiteti, por ato me pretendime shtetndërtuese, si VMRO-ja. Për fat të keq, pikërisht kjo parti me elektorat të madh, si në të kaluarën, ashtu dhe tash, shpesh është rreshtuar në anën e gabuar dhe vazhdon të mos nxjerrë mësime!

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet