“Oaza” e ushqimit të shëndetshëm: Shefi i kuzhinës që i lëviz kufijtë e menysë pa gluten

Sipas disa statistikave, deri në 1% e popullsisë së botës vuan nga sëmundja celiake dhe vetëm një në tetë njerëz ka një diagnozë klinike. Me këtë gjendje po përballen sot gjithnjë e më shumë shqiptarë

Është një çrregullim i ndërmjetësuar i imunitetit me njëqind fytyra, enteropati gluteni, përkatësisht sëmundje kronike gastroenterologjike e karakterizuar nga intoleranca ndaj glutenit, e cila dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës, nëse nuk diagnostikohet.

Njerëzit që vuajnë nga sëmundja celiake nuk mund të tolerojnë një proteinë të quajtur “gluten”, e cila gjendet në shumë ushqime por gjithashtu mund të gjendet në produkte ushqimore që ne përdorim çdo ditë si dhe në ilaçet dhe vitaminat.

Fryrja e barkut, të përzierat, diarreja, kapsllëku, lëkura e thatë dhe ndjenja e vazhdueshme e shqetësimit, janë vetëm disa nga simptomat që mund të tregojnë praninë e kësaj sëmundjeje. Njerëzit shpesh i shoqërojnë këto simptoma me sëmundje të tjera dhe pacientët diagnostikohen gabimisht me sindromën e zorrëve të irrituara (IBS), por kjo diagnozë mund të çojë tek njerëzit me ndjeshmëri ndaj glutenit që nuk marrin trajtimin e duhur kështu që simptomat nuk zhduken.

Intoleranca e glutenit mund të çojë në humbjen ose në shtimin e peshës për asnjë arsye të dukshme, sepse shoqërohet me simptoma të keqpërthithjes.

Kur njerëzit me sëmundje celiake konsumojnë produkte që përmbajnë gluten, sistemi i tyre imunitar përgjigjet duke dëmtuar zorrët e holla.

Kur diagnostikohet, simptomat zvogëlohen, por shfaqen telashe se si të ndryshoni dietën, shprehitë e përditshme, ose si të gjeni një zëvendësues të denjë për drithërat si gruri, thekra, tërshëra, ose elbi dhe ushqime të tjera që përmbajnë gluten. Është e domosdoshme që të dini se cilët janë ushqimet që mundeni të konsumoni ose jo, sepse i gjithë shëndeti juaj varet prej saj.

“British Medical Journal” autorët sugjerojnë se si regjimi ushqyes pa gluten është i popullarizuar edhe në mesin e atyre që dëshirojnë të dobësohen.

Kalimi në ushqimin pa gluten nuk është i thjeshtë dhe kërkon disiplinë, durim, sakrificë dhe kontroll të rreptë.

Sëmundja celiake dhe restorantet

Pavarësisht skenës gastronomike gjithnjë e më të pasur, restorantet kosovare ende nuk mund të mburret me një ofertë që do të plotësonte nevojat e përditshme ushqimore të njerëzve me sëmundje celiake.

Një nga arsyet e mundshme mund të jetë konkurrenca e madhe ndërmjet hotelierëve dhe pronarëve të restoranteve që kanë frikë të largohen nga menyja kryesore, prandaj përfshirja e pjatave pa gluten në meny kërkon ende shumë kohë dhe njohuri, nga gjetja e recetave dhe glutenit cilësor deri te mënyra specifike të përgatitjes.

Për fat të mirë, ekziston Panino, si i vetmi restorant në Kosovë me ushqime pa gluten, i cili ofron një përzgjedhje të gjerë të specialiteteve të shumta në menynë e tij (hamburgerë, ushqime me mishra, pica, llokume, krepa, pite, byrekë, biskota, ëmbëlsira, etj.).

Ky restorant ‘i shëndetshëm’ njihet si një oazë pa gluten, pas konceptit të të cilit qëndron tani shefi i kuzhinës me përvojë Bajram Musliu, i cili për një kohë të gjatë përballet me sëmundjen celiake, pra me intolerancën ndaj glutenit.

“Gjatë gati gjithë jetës, menjëherë pas ushqimit kam pasur barkqitje dhe stres. Në moshën 35-vjeçare më janë shfaqur dhimbjet e barkut. Mjekët dyshonin në zorrë të verbër, idhëz, por pas një periudhe dymujore, më mbyllen zorrët e holla. Protokolli i trajtimit ishte një sfidë tjetër në trajtimin e sëmundjes. Pasoi operimi në Prishtinë, më janë larguar gjysmë metri zorrë të holla. I diagnostikuar me Limfoma Non-Hodgkin, në gjashtë muajt e radhës, mjekimin e kam vazhduar në Onkologji, me kimioterapi. Sëmundja e paparashikuar më sprovoi, ndërsa unë luftoja me rrethanat e llahtarshme dhe pafuqinë me lëngatën, fati më dërgoi në Gjermani për të bërë transplantimin e palcës kockore. Atje, u vlerësova edhe me sëmundjen celiake dhe prej atëherë, mbajë dietë me ushqimet pa gluten”, tregon Bajrami për Telegrafin, teksa me rrëqethje dhe shqetësim flet për krajatat që ka kaluar dhe të ardhmen që e pret.

I gjendur në udhëkryq, heqja dorë nga buka, pastat, pizza, ëmbëlsirat – respektivisht ushqimi i cili përmban gluten – proteina e ngjitshme e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb – nuk ishte aq aq e thjeshtë siç ndoshta mund të duket për të, veçanërisht kur nuk keni kuzhinier të përgatitur që do të përgatisë alternativat e shijshme.

I nxitur nga ky fakt, ndërsa mposhti kancerin, Bajrami dhe bashkëshortja e tij Agnesa, vendosën që t’u dalin në ndihmë edhe të tjerëve që vuajnë nga e njëjta alergji me dijet, e përvojën e tyre me këtë lloj kuzhine, në mënyrë profesionale. Me punën e tyre, ky çift, e jo të bërit biznes, po përpiqen të vejnë në dukje praninë e sëmundjes celiake dhe shprehitë e veçanta të të ngrënit që kërkon sëmundja.

Përkushtimi kryesor i tyre është se si të gjejnë zëvendësues adekuat dhe të shijshëm për drithërat. Qëllimi i tyre është të gjejë ushqime cilësore pa gluten që mund të zëvendësojnë në mënyrë adekuate shijet me të cilat jemi mësuar. Kuzhina e restorantit përdor produkte nga prodhuesit e njohur evropianë të miellit, biskotave dhe produkteve të tjera që nuk përmbajnë gluten dhe së fundmi hamburgeri është bërë hit i vërtetë në menynë e restorantit.

Kuzhina e tij është një kombinim i jashtëzakonshëm i tendencave të përditshme me ato moderne, kështu me krijimet e tij i kënaqë mysafirët me dieta të veçanta.

Fatkeqësisht, glutenin mund ta gjeni në shumicën e ushqimeve, veçanërisht nëse nuk është i prodhuar dhe i paketuar sipas rregullave të caktuara. Është shumë e rëndësishme të lexoni me kujdes deklaratën. Por disa produkte e kanë glutenin të fshehur.

– Personat që kanë sëmundje celiake ose janë thjesht intolerantë ndaj glutenit duhet të kenë kujdes të përdorin ushqime në etiketat e të cilave shkruan “pa gluten”, si dhe që në vendin ku përgatiten ushqimet të mos ketë fare gluten që mund ta kontaminojë atë – tha ai.

Nëse jeni të pasigurt konsultohuni me mjekun gastroenterolog. Çdo person që vuan nga sëmundja “celiace” duhet të këshillohet edhe me dietologun për të marrë një meny ushqimor të personalizuar.

“Nga përvoja e dhimbshme që kalova, ju ftoj që të bëni të gjitha përpjekjet për të vlerësuar rrezikun që paraqet intoleranca dhe alergjia ndaj glutenit, por edhe për të vetëdijesuar ata që përhapin opinione duke minimizuar dëmin që shkakton prania e tyre në organizmin tonë. Prandaj, i lus të gjithë ata që kanë ndonjë lloj problemi me lukthin, zorrët, etj., të bëjnë testin për alergji në gluten”, thotë ai.

Z. Musliu sugjeron të flisni drejtpërdrejt me kuzhinierin kur shkoni në restorant. Në këtë mënyrë, ai do të ketë informacione të sigurta për nevojat tuaja dhe ju mund ta shijoni plotësisht vaktin. Është e rëndësishme për të që personat që nuk konsumojnë gluten të mos jenë të përjashtuar: “Në restorantin tim, mysafirët mund të hyjnë në kuzhinë dhe të shikojnë përgatitjen e ushqimit për t’u siguruar që ushqimi i tyre është plotësisht pa gluten”.

Nëse ushqeheni pa gluten ose jeni në një dietë të veçantë, pjatat dhe ëmbëlsirat që ofrohen nga ky çift, janë një larmi e vërtetë ngjyrash dhe shijesh me të cilat mund t’i kënaqeni pa shqetësime dhe u brengosur fare. Në të njëjtën kohë, është një vend ku mbretëron fryma tradicionale e mirësisë dhe e kujdesit për mysafirin.  /Telegrafi/