Katër kandidatë tashmë janë konfirmuar në listën për zgjedhje të Prokurorit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK). Islam Abazi, Ermon Neziri, Desa Paunovska dhe Villma Ruskoska i përmbushin kushtet, ndërkohë që prokuroja Engjëllusha Kadriu-Lleshi ka tërhequr kandidaturën. Sipas listës përfundimtare, 163 prokurorë publik nga i gjithë vendi, të hënën nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 16 pasdite, duhet të votojnë dhe të zgjedhin shefin e PNKOK-së.
Islam Abazi dhe Desa Paunovska vijnë nga Prokuroria e Lartë e Gostivarit, ndërkohë që Villma Ruskoska dhe Armon Neziri nga Prokuroria e Shkupit. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski ka informuar se të hënën, pas votimit të prokurorëve, Këshilli në afat prej shtatë ditësh do të duhet të zgjedh për shef kandidatin që ka marrë më së shumti vota në Listën e kandidatëve të paraqitur, shkruan gazeta KOHA.
Megjithatë, deri këtu është në rregull, pos njërit kandidat – kandidatura e të cilit duket të jetë në kundërshtim me Ligjin e prokurorëve dhe Rregulloret e brendshme të punës së Prokurorisë. Bëhet fjalë për Ermon Neziri, prokurorin e Prokurorisë së Lartë të Shkupit, i cili përveç punës në Prokurori, është edhe anëtarë i organizatës sekrete “Masonët e Maqedonisë”, e quajtur ndryshe edhe si “Lozha e Madhe e Maqedonisë”. Një dokument tek i cili ka arritur gazeta KOHA, thuhet se më 28 shtator të vitit 2020, në mbledhjen e “Lozhës së Madhe të Maqedonisë”, prokurori Ermon Neziri zgjidhet “oficer i madh”, me votim të fshehtë, ndërsa mandati i tij do të jetë deri në fund të vitit 2023.

Në Ligjin për Prokurorinë, prokurorët nuk duhet të jenë anëtarë të ndonjë organizate qoftë legale apo të fshehtë (sekrete), njëjtë sikurse nuk mund të punojnë edhe punë tjera nga e cila mund të ketëndikime në punën e drejtësisë.
Përkujtojmë se rast të këtillë skandaloz, konkretisht emërim të Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, dy vite më parë kishte plasur në Kroaci. në këtë shtet, për Prokuror të Përgjithshëm të Shtetit ishte emëruar Drazhen Jeleniça, njëkohësisht anëtarë i “Lozhës së Madhe të Kroacisë”. Megjithatë, menjëherë pas emërimit, ministri kroat i Drejtësisë, Drazhen Boshnjakoviç, kishte kërkuar shkarkimin e Jeleniçës, pasi kishte deklaruar se “anëtarësimi në organizata sekrete krijon rrezik potencial për ndikim në punën e prokurorisë dhe është në kundërshtim me Ligjin”.
“Anëtarësimi në organizata nuk është i ndaluar, por anëtarësimi në një organizatë siç është ajo masonike, është në kundërshtim me ligjet dhe paraqet rrezik potencial, sepse vet aktivitetet e lozhave masonike janë sekrete. Nuk dua të them se disa vendime janë marrë nën ndikimin e anëtarësimit në një organizatë të tillë, por vetë anëtarësimi krijon rrezik potencial”, ishte shprehur ministri Boshnjakoviq…


