Një BDI kompakte, mirë për shqiptarët, mirë për vendin!

Shkup, 15 tetor/indeks.mk- Shumëkush dje bënte “tifo” që në BDI të ndodhte përçarja e madhe. Një BDI me fraksione brenda, ose madje, dy a më shumë “BDI-ja”, do të kishte qenë “e mirëseardhur”, madje “e shëndetshme për demokracinë”. Dikush, ngase mezi pret që ta zë vendin e BDI-së si parti nr.1 për dy dekada me radhë në bllokun politik shqiptar, e të tjerë, me plane edhe më “gjithëpërfshirëse”, që duke pasur një BDI të “copëzuar”, të realizojnë qëllimet e veta egoiste për të krijuar një shumicë të re parlamentare pa BDI-në dhe partitë tjera që tash janë në krye të detyrës në proceset e vështira që kërkojnë interesat e vendit t’i vësh mbi gjithçka.-shkruan portali indeks.mk

U ndanë të dëshpëruar, të gjithë ata që kalkuluan përçarjen “e madhe” të BDI-së.

Ndryshe nga shumë parti të tjera, BDI-ja u tregua edhe një herë e rezistueshme ndaj të gjitha sfidave. Ajo u tregua si parti moderne me kapacitet të fortë demokratik ku ka debate të brendshme, ku dallimet në mendime e në veprime, jo domosdo duhet të përfundojnë në përçarje, ndasi. Ajo di t’i vë këto dallime në funksion të pluralizmit demokratik, prej nga i shndërron në modele programatike, për të ecur përpara.

Ose, më saktë, siç tha edhe kryetari i integristëve, Ali Ahmeti, BDI-ja mbi funksionet partiake qëndrojnë misionet dhe pesha e madhe e përgjegjësisë për të ngadhënjyer për të mirën e gjeneratave dhe të ardhmes së ndritur të tyre. Pra qëllimet politike, BDI-ja i vë para ambicieve individuale a grupore, duke apostrofuar çështjet të cilat e presin vendin në këto kohë të vështira në rrugën e integrimit, realizimit të reformave, luftës kundër krimit dhe korrupsioni, programit të projekteve të jetës cilësore, si dhe menaxhimit efikas të krizës energjetike dhe ekonomike. Edhe më saktë, siç nënvizon z.Ahmeti, “për ne jetësimi i idealeve kombëtare dhe misioneve jetësore ka qenë prioriteti parësor”.

Atë që oponentët prisnin të ndodhë në BDI dhe nuk ndodhi, më së miri e përshkroi me fjalë të veta një deputet, dikur i opozitës, e tash i bashkangjitur kësaj partie: të tjerët duhet të mësojnë nga BDI-ja.

Dhe duhet patjetër të mësojnë. BDI-së nuk i doli as “tymi “ as “flaka”, por e kaloi edhe një episod të vogël duke mbajtur një leksion të bukur të pluralizmit demokratik.

Sepse, nga një BDI e fortë, përfitojnë qytetarët dhe vendi, do të komentojë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. Sepse, “bashkë është më mirë!” se sa pike e pesë.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet