Nga producenti i filmave, e deri te “profecia” në të cilën ukrainasit besojnë – kush janë anëtarët e ekipit të Zelenskyt?

Edhe pse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga fillimi i pushtimit rus në këtë shtet, është në plan të parë të gjithë zyrtarëve të vendeve perëndimore, por edhe mediave, këshilltarët që e përbëjnë ekipin e tij janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e përfaqësimit të Ukrainës në botë.

Nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, në opinion, përveç presidentit Zelensky, shfaqen edhe një sërë zyrtarësh tjerë që në baza ditore informojnë opinionin por edhe liderët botërorë për aktivitetet e ushtrisë ukrainase por edhe lidershipit të këtij vendi, transmeton Telegrafi.

Edhe pse është vështirë të mbahen në mend emrat e këshilltarëve dhe “ekspertëve të shumtë” lufta në Ukrainë ka ndryshuar mënyrën e të menduarit – kështu emrat si Andri Jarmak, Mihail Podolk, Oleksi Reznikov dhe zyrtarët e tjerë ukrainas dhe këshilltarët e Volodymyr Zelensky janë bërë më shumë të njohur sesa që është pritur.

Kush janë ata njerëz që përbëjnë ekipin e Zelenskyt?

Njeriu i parë që gjithmonë është pranë presidentit ukrainas është edhe shefi i kabinetit të tij. Andri Jermak deri më tani disa herë është shfaqur në opinion, por shumë më pak në krahasim me disa zyrtarë tjerë ukrainas.

Megjithatë, raportet mes Zelensky dhe Jermakut janë të veçanta, kjo për shkak të kaluarës së tyre. E nëse paraqitjet e Volodymyr Zelensky në opinion por edhe para dhjetëra parlamenteve të vendeve perëndimore janë dukur si skena të filmave, kjo nuk është rastësi.

Në fakt, Jermak dhe Zelensky u bënë miq nga xhirimi i një filmi. Shefi i zyrës së presidentit para pushtimit rus në Ukrainë, ka punuar si producent i filmave, e të njëjtën kohë ishte pronar i shtëpisë filmike “Garnet International Media Group”.

“Është i njohur për dramën sportive ‘The Fight Rules’ dhe trilerin kriminalistik ‘The Line’. Kur bëhet fjalë për raportet e tij me Zelensky, ky avokat dhe ekspert i të drejtave autoriale, ndihmoi shumë aktorin e papërvojë që të vjen deri te fitorja politike në zgjedhjet presidenciale gjatë vitit 2019. Sot Jarmak konsiderohet njeriu i dytë më i rëndësishëm në këtë shtet. Ka kontakte të mira në Moskë, dhe merr pjesë në bisedimet që do të mund t’i jepnin fund luftës”, shkruan e përditshmja austriake Der Standard.

Mihailo Podolak – njeriu për të gjitha llojet e krizave

Pas çdo raundi të bisedimeve mes palës ukrainase dhe asaj ruse, personi i parë që i drejtohej gazetarëve dhe fliste për qëndrimet e delegacionit ukrainas, ka qenë Mihailo Podolak.

“Podolak gjatë viteve të 90-ta ka studiuar mjekësinë në Minsk, e më pas ka punuar si gazetar për disa gazeta bjelloruse që kanë kritikuar regjimin. Ai e di saktë se çfarë bën. Ky 50-vjeçar konsiderohet si mendja kryesore e sagës heroike për presidentin ukrainas.

Oleksi Reznikov – nga Eurosong e deri të vija e frontit

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksi Reznikov, jetën e tij pesë vite më parë sigurisht se e ka menduar plotësisht ndryshe. Njeriu që në vitin 2017 ishte në bordin e organizatorëve të Eurosong në Kiev, pesë vite më vonë është bërë personi që i viziton të gjitha vijat e para të fronteve.

“Në punën e tij të përditshme, Reznik nuk ka më gjurmë të dashurisë, paqes apo lumturisë. Gjatë karrierës së tij politike, ministri i  Mbrojtjes, gjithmonë ka treguar atë ndjenjën e vërtetë se duhet të jetë në kohën dhe vendin e duhur. Sa herë që Ukraina gjendej në rrezik, Reznik ishte aty për të marr vendime. Sikurse Podolak, edhe Reznikov është pjesë e ekipit negociator të Ukrainës”, shkruan e përditshmja austriake.

Irina Vereshchuk – oficerja me ndjenjë të veçantë për PR

Gruaja e vetme në rrethin më të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Volodymyr Zelenskyt, është zëvendëskryeministrja Irina Vershchuk. Edhe pse mund të ketë menduar dikush që Vershchuk nuk ka përvojë në menaxhimin e situatave të krizës, në fakt kjo 42-vjeçare ka më shumë përvojë ushtarake se çdo anëtarë tjetër i ekipit të presidentit ukrainas.

“Ka shërbyer në ushtrinë ukrainase për pesë vite, ndërsa e braktisi ushtrinë me gradën oficere. Pas studimeve në fakultetin juridik në Akademinë ushtarake në Lviv, Vershchuk karrierën e filloi në politikën lokale, e në fund është bërë kryetare e qytetit të saj të lindjes Rava-Ruska, që gjendet përgjatë kufirit me Poloninë”, thuhet ndër tjera në artikullin kushtuar ekipit të Zelenskyt.

Sikurse edhe anëtarët e tjerë të ekipit të Zelenskyt, për Vereshchuk thonë se përdor shumë mirë mekanizmat e PR-it në rrethana lufte në Ukrainë.

Oleksi Arestovich – në “profecinë” e të cilit besojnë ukrainasit

Tre vite më parë, kur shumë politikanë të rangut të lartë dhe gjeneralë të ushtrisë ukrainase thoshin që pushtimi rus në Ukrainë është i pamundur, asokohe analisti i ri ushtarak Oleksi Arestovich ka folur krejt të kundërtën.

“Rusia do ta sulmojë Ukrainën, ta rrethoj Kievin, do të hap korridor nga Krimea në Donbas dhe do të marr nën kontroll qytetet në atë rajon”, pati thënë tri vite më parë Arestovich.

E nëse analizohen nga perspektiva e sotme, këto pretendime të Arestovichit kanë qenë plotësisht të sakta.

“Ky 46-vjeçar i cili nga vitit 2020 u bë këshilltar i presidentit, është një prej figurave më të rëndësishme në vend dhe botë. Gazetarët bazohen në çdo fjalë që Arestovichi e thotë duke u bazuar në analizat ditore, dhe jep konstatimet për rrjedhën e mëtejme për luftën në Ukrainë”, shkruan Der Standard.

Disa ditë më parë, Arestovich sërish ka folur sesi mund të merr fund konflikti në Ukrainë – duke theksuar se kjo mund të ndodhë në fund të prillit.

“Arestovich ka parashikuar se lufta agresive e Rusisë mund të merr fund në fund të prillit. Të shpresojmë që edhe kësaj radhe do të ketë drejtë”, shkruan për fund e përditshmja austriake. /Telegrafi/

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet