Ligje të rëndësishme, konkurse të parealizuara për organe të ndryshme, madje dhe Gjykata Kushtetuese, mbahen peng e inateve dhe shantazheve opozitare, duke rrezikuar bazat e demokracisë dhe të institucioneve.
Kjo situatë nuk është larg së vërtetës, sepse siç thonë ekspertë të së drejtës kushtetuese, nëse deri në dhjetor nuk zgjidhen anëtarët e rinj, do të shuhet krejtësisht Gjykata Kushtetuese! Me vetëm katër anëtar, mund të mbetet pa kuorum dhe praktikisht do të jetë i penguar të veprojë pas shkuarjes në pension edhe të një anëtareje të saj, siç thotë profesoresha Ana Pavllovska-Daneva, do të jetë humbje e madhe për një shtet demokratik dhe atak ndaj demokracisë. Me bllokadën e punës së Kuvendit dhe me pengimin e strukturimit të Gjykatës Kushtetues Maqedonia e Veriut do të hynte në një krizë kushtetuese, çfarë e kishte viteve të fundit Shqipëria. Në këtë mënyrë, do të vinte në pyetje roli i Gjykatës si “korrigjues” i organit më të lartë ligjvënës dhe të ekzekutivit, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjeve, pra, nuk do të kemi mbrojtës të rendit kushtetues të vendit. Pa këtë mekanizëm kontrollues, Kuvendi mund të sjellë ligje, e qytetarët t’i zbatojnë ato, edhe në raste kur ato mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën ose kur ato mund t’i cenojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Parimisht, fajtorin për gjendjen institucionale shpesh e kërkojmë te bartësit e pushtetit, por në rastin e Gjykatës Kushtetuese dhe të konstituimit edhe të disa organeve tjera, faji më së shumti qëndron te opozita. Prej se ajo, ose më saktë, VMRO-DPMNE, shpalli si prioritet të veprimit të vet zgjedhjet e parakohshme ose kthimin në pushtet me shumicë të re parlamentare, dhe së fundmit edhe keqpërdorimin e procesit të integrimit në BE, bllokada e institucioneve ishte një nga mënyra e realizimit të qëllimit. Rezultatet e kësaj bllokade, po i shohim në praktikë çdo ditë.
Natyrisht se opozita nuk do të ndjekë në hap çdo veprim të pushtetit për të mirën e tij, por ajo nuk duhet të harrojë se ka dhe përgjegjësi kur kalohet kufiri dhe rrezikohen interesat e shtetit. Në rastin konkret, siç shihet, me bllokimin e vendimmarrjes në Kuvend për Gjykatën Kushtetuese, ku duhen dy të tretat e votave, me disa propozime joreale dhe me inatin e vet, VMRO-ja drejtpërdrejt lëkund themelet e rendit kushtetues.
VMRO-ja nuk ka përkrahur kandidaturën e asnjërit nga tre gjykatësit që kanë kaluar në Komisionin për Emërime dhe Zgjedhje, sepse ka kandidatët e “vet”, si bie fjala, Savo Klimovskin dhe disa të tjerë. Këtu fshihet qëllimi i kësaj partie të vendosë njerëzit që do t’i kryenin punët e saj, siç ka vepruar në të kaluarën, diç që ka qenë nën shënjestër të publikut dhe medias para pak vitesh, praktikë të cilën mëtojmë ta braktisim. Ndaj, emërimi i pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese mbetet peng i VMRO-së, duke rrezikuar të prishë balansin e pushteteve, në prag të vitit 2024 kur Maqedonia e Veriut do të shënojë 60-vjetorin e gjyqësisë kushtetuese.
. Vitin e kaluar u kishte kaluar mandati tri gjykatësve, ndërkaq në dhjetor në pension shkon edhe një gjykatëse dhe në funksion të mbeten vetëm katër anëtarë, kryetarja Dorbilla Kacarska, Naser Ajdari, Osman Kadriu dhe Darko Kostadinovski.