Nesër në Maqedoninë e Veriut hyjnë në fuqi masat për kursimin e energjisë elektrike

Prej nesër hyjnë në fuqi masat për kursimin e energjisë elektrike me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind. Masat janë sjellë me vendimin e Qeverisë më 16 gusht, ndërsa do të vlejnë deri më 31 mars 2023. Kanë të bëjnë me amvisëritë dhe kompanitë si rekomandime por edhe për institucionet shtetërore si obligime.

Siç tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i cili i kumtoi edhe elaboroi masat, para nesh është një prej dimrave më të vështirë në planin energjetik dhe të gjithë bashkërisht duhet të kontribuojmë për ta kaluar atë sa më lehtë.

Fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve të kulturës, fikja e dritave kur ka dritë të mjaftueshme ditore, ftohja me kondicioner në jo më pak se 27 gradë dhe ngrohja në maksimum 20 gradë, fikja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, ndërrimi i rregullt i filtrave nga elementet për ngrohje dhe kondicionerëve, shtypja vetëm e materialeve të nevojshme, zëvendësimi i dritareve me efikasitet energjetik, janë vetëm një pjesë e detyrimeve që duhet t’i zbatojnë institucionet shtetërore.

Rekomandimet për sektorin e biznesit janë gjithashtu të ngjashme – fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e të gjitha ndërtesave, përdorimi i dritës së ditës për hapësirat e brendshme, sallat dhe zyrat në ndërtesa gjatë periudhës kur është e mundur, ftohja e objekteve të prodhimit, sallave dhe zyrave me kondicionerë në jo më pak se 27 gradë dhe ngrohja në maksimum 20 gradë, shkyçja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, zëvendësimi i dritave të vjetra me ato kompakte fluoreshente, ndryshimi i rregullt i filtrave të elementeve të ngrohjes, instalimi i pompës së nxehtësisë si sistem shumë efikas për ngrohje, ftohje dhe për përgatitjen e ujit të ngrohtë gjatë ndërtimit të ndërtesave të reja apo rikonstruimin e të vjetrave, aplikimin e teknologjive të reja për performancë më të mirë energjetike të impianteve industriale,…

Amvisërive u rekomandohet të ndezin bolierin sipas nevojës dhe mundësisht me energji elektrike të lirë, të ndezin lavatriçet dhe pjatalarësen vetëm kur janë plot dhe gjithashtu me energji elektrike të lirë, përdorim të arsyeshëm të pajisjeve ngrohëse, përdorim maksimal të dritës së ditës dhe nxehtësisë nga dielli, fikjеn e dritave kur nuk qëndroni në dhoma të caktuara, gatim në enë më të vogla ose në enë të përshtatshme me madhësinë e pllakës së sobës elektrike, ajrim të shkurtër dhe intensiv të dhomave,…

“Para nesh është një prej dimrave më të vështirë në planin energjetik. Masat për kursim janë krijuar që më lehtë të përballemi me atë që na pret, për furnizimin e papenguar të energjisë elektrike, shpenzimin racional dhe fatura më të ulëta”, tha ministri Bekteshi më 16 gusht kur i kumtoi masat.

Sipas zëvendëskryeministrit, Fatmir Bytyqi, institucionet publike duhet të jenë shembull për sjellje të përgjegjshme. Prandaj edhe drejtuesit e tyre mund ta humbasin punën nëse nuk i respektojnë rekomandimet qeveritare dhe nëse nuk kursejnë 15 për qind të energjisë siç është paraparë.

Edhe sipas tij edhe sipas ministrit Bekteshi, nuk priten restriksione të energjisë elektrike.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet