Nedellkov: Rritja e pagave në arsim është vlerësim për ne

Mobingu ndaj mësuesve nga nxënësit dhe prindërit e tyre po shënon shifra të larta.

“Profesioni që dikur vlerësohej dhe respektohej shumë, sot po shkelet nga faktorë të jashtëm që lënë gjurmë në shëndetin psikofizik të mësimdhënësve”, thotë Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK).

“Mësuesi pritet të prodhojë rini të shëndoshë, të japë arsim cilësor, ndërsa në të njëjtën kohë i hiqet liria e vlerësimit përmes presioneve të ndryshme. Dhe jo vetëm kaq, nuk është sekret as sjellja e nxënësve, të cilët për dallim nga dikur, tani i trajtojnë me më pak respekt mësuesit e tyre”, thotë Nedellkov.

Ai nuk ka dashur të komentojë akuzat e fundit publike të ish-nxënësve, të cilët pretendojnë se janë nënçmuar publikisht nga mësuesit, gjë që ua ka ulur ndjeshëm vetëvlerësimin, por edhe ka dëmtuar statusin e tyre në mesin e bashkëmoshatarëve, për çka kanë qenë edhe viktima të bullizmit.

“Nuk di për shembuj të tillë, por detyra ime si kryetar i SASHK-ut është t’i mbroj interesat e mësimdhënësve”, tha Nedellkov.

Ai sqaron se këtë pesë tetor mësuesit e kanë shënuar me më shumë kënaqësi Ditën Botërore të Mësuesit, falë rritjes së pagave që kanë marrë si pasojë e grevës shumëditore që u zhvillua vitin e kaluar shkollor.

“Në përgjithësi ajo që kemi rënë dakord me Qeverinë po zbatohet. Për muajin shtator janë duke u përgatitur pagat, të cilat do të rriten për 15 për qind dhe presim që pas Vitit të Ri të kemi rritje të reja pagash. Harmonizimi i marrëveshjeve kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm është në proces. Grupet punuese të SASHK-ut kanë punuar gjatë muajit shtator dhe presim që deri në fund të këtij muaji të nënshkruhen marrëveshjet kolektive, me të cilat do të rregullohen të drejtat e punëtorëve në arsimin fillor dhe të mesëm, siç është çështja e pagës për pushime, transporti me pagesë për mësimdhënësit të cilët jetojnë larg vendit të punës, shtesa pagash për klasa të kombinuara, ditë pushimi me pagesë dhe ditë pushimi me ligj”, thotë Nedellkov.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet