Mrekullia nuk ndodhi: Skeptikët nuk heshtën as në ditën solemne!

Nuk pritej të ndodhte dhe nuk ndodhi mrekullia, që opozita të urojë vendin e tyre për fillimin e negociatave me BE-në. Me këtë do të pranonte suksesin që e arriti dikush tjetër, derisa ata vetë qenë pozicionuar kundër. Prandaj, në këtë ditë solemne, ajo vazhdoi avazin e vet, më saktë, i mbeti besnike narrativit të krijuar se janë cenuar interesat e shtetit dhe popullit.

VMRO-DPMNE-ja mohon të jetë kjo një ditë historike siç u shprehën krerët e shtetit, shumica të tubuar sot në Bruksel ku u shënua fillimi i negociatave. “Nëse kjo është ditë historike, kur të kthehen nga Brukseli Kovaçevski, Bujar Osmani dhe Bojan Mariçiq, le të dalin në shesh dhe le ta ftojnë popullin për kremte të përbashkët, e jo të shkojnë në Klubin e Deputetve në kremte të mbyllur”, është shprehur njëri nga deputetët e kësaj partie, Antonio Milloshovski.

Në anën tjetër, shefi i tij, Hristijan Mickovski, vazhdon, “shpresat” i mban te deputetët, që janë “rojtarët e kushtetutës”, por pikërisht në këtë pikë, sot ka ambasadori slloven në Maqedoni, ka dalë me një argument që tregon se Maqedonia nuk është vendi i parë që për të hyrë në BE është detyruar të ndërrojë kushtetutën. “Edhe Sllovenia duhej të ndryshonte Kushtetutën me kërkesë të njërit prej fqinjëve të saj. Një situatë mjaft e ngjashme në këtë aspekt dhe ne pastaj thjesht vlerësuam se qëllimi për të hyrë në BE ishte më i rëndësishëm se kaq. Pra, nuk është asgjë e re. Të gjithë ata që negociuan me BE-në ishin në një situatë ku kishin disa pengesa në atë proces, por më e rëndësishmja është se treni i Maqedonisë drejt BE-së më është nisur ose do të niset.”- është shprehur sot Milan Predan, ambasadori i Sllovenisë në Shkup,i cili ka shtuar se 26 shtete të BE-së e njohin gjuhën maqedonase dhe se deklarimet e njëanshme të ndonjë anëtareje, nuk përbëjnë problem, duke aluduar në Bullgarinë.

Një nga kritikët e marrëveshjen me Bullgarinë, gazetari i njohur Branko Gerovski(plusinfo.mk) mori të paktën forcën që t’ua urojë të gjithëve, “fillimin e një beteje të madhe dhe të vështirë për Maqedoninë”, duke i ruajtur të gjitha rezervat që i ka pasur deri tash. “Të gjithëve iu dëshiroj, në vend të një feste të paarsyeshme, për një mobilizim të të gjitha kapaciteteve njerëzore, për bashkim të vendit të përçarë, e jo me nishane nënçmuese në fytyrë”.

Çdo rrugë, apo çdo proces që ka pengesa të llojeve të ndryshme, përfundon me ndonjë lloj kompromisi. Kompromisi që bëri Maqedonia me Greqinë, e zgjidhi kontestin dy dekada e gjysmë të stërzgjatur dhe pastaj e futi Maqedoninë në NATO, pa cenuar çështjet identitare, siç propagonte edhe atëherë e njëjta opozitë që bën zhurmë sot. Sigurisht me të njëjtat argumente, dhe kur kjo nuk mjaftoi, një kohë edhe e bojkotonin emrin e ri, ndonëse ai me asgjë nuk kishte ndikuar në çështjet identiare. Veprimet e këtilla, shpesh lënë për të dyshuar për agjenda të fshehura, që mund të mos jenë larg së vërtetës.

Prandaj, këtë ditë duhet shënuar vërtet si datë historike, sepse, si do të vlerësojë nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, “dështuan forcat regresive, me agjenda të huaja të ndikimit në vend”, duke bërë apel nga Brukseli për një koalicionin të të gjitha forcave progresive që duan Maqedoninë në Unionin Evropian”. Opozita, me gjasë, për shkak të agjendës politike, nuk dëshiron ta shikojë realitetin në sy, por vazhdon me publikun t’i ndajë si të mirëqena lajthitjet që i ka sajuar nga propaganda e vet. Është fat që ndryshe nga opozita maqedonase, pjesa shqiptare e opozitës mbeti në kursin euroatlantik, që shënon një shkëputje, ose madje ndarje rrugësh, me ata që i kanë ndërmend agjendat tjera.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet