Vaji, sheqeri, mielli, nafta, rryma…janë vetëm një pjesë e gjithë artikujve dhe energjensëve që janë pjesë e nevojave të domosdoshme për një familje, e të cilat në Maqedoni janë me çmime më të ulëta se në dy shtetet fqinje shqiptare, Kosovë dhe Maqedoni. Bile, gjatë uikendit të kaluar, ishin bërë të gjata kolonat nga Kosova, që në emër të “shopingut” apo uikend-vizitave, kosovarët në të vërtetë kishin ardhur për të mbushur naftë në pompat e benzinës ose artikujt deficitarë ose me çmime tejet të larta në Kosovë, raporton indeks.mk
Sa për ilustrim, siç u ankua para do ditësh lryeministri Albin Kurti, një litër vaj në Kosovë shitej 3-3,5 euro, kurse në Maqedoni, me gjithë presionin tregtar, 1,5-2 euro.
Këto dallime nuk janë të rastit, pasi Qeveria e Maqedonisë mori hapat parandalues në kohë, duke ndarë javën e kaluar 400 milionë euro pikërisht për frenimin e çmimeve, ku duke i ngrirë, duke i hequr akscizat ose TVSH-në në naftën, ose duke ulur marzhën për artikujt themelorë.
Ndryshe nga Maqedonia, Kosova ndau vetëm 50 milionë euro, ndërkaq Shqipëria ende nuk dihet si do të veprojë, tash për tash atje po organizohen protesta qytetare, të cilave Edi Rama iu kundërvihet me retorikë deklarative, pa gjë konkrete, përveç paralajmërimit se miellin do ta sigurojë nga Serbia, në kuadër të “Open-Ballkanit”(një reklamë e panevojshme në këtë situatë kur askush s’e mendon atë projekt rajonal!)
Rastësi ose jo, masat e Qeverisë së Maqedonisë, të cilat i marrin për të mirë të gjithë analistët dhe faktorët e rajonit, kanë një fakt apo kuriozitet, i cili ndoshta dhe nuk është krejtësisht rastësi: në krye të resorëve ekonomikë që merren me këto politika sociale e ekonomike në kohë krize, janë shqiptarë: ministri i financave, Fatmir Besimi, dhe ministër i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.