Siç kumtoi Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE), në takim anëtarët e Grupit Punues do të prezantojnë qëndrimin dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Maqedonisë së Veriut me përfaqësuesit e drejtorive të përgjithshme përkatëse të Komisionit Evropian në lidhje me migracionin, azilin, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile, bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, bashkëpunimin në fushën e doganave, politikën e vizave, bashkëpunimi policor dhe lufta kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi ndërmjet njësive për inteligjencën financiare, krimi i organizuar, bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale, lufta kundër terrorizmit, Shengeni, falsifikimi dhe kufijtë e jashtëm.
Ekipi negociator i Maqedonisë përbëhet nga përfaqësues të Grupit Punues për Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria” të cilët vijnë nga Zyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Prokuroria Publike, Banka Kombëtare, Autoriteti i Inteligjencës Financiare dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane.
Institucion kompetent për këtë kapitull është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa grupin punues e udhëheq Koordinatorja e Kapitullit 24, shefja e sektorit për negociata dhe integrime evropiane pranë MPB, Svetlana Vllahoviq Dimanovska.
“Prezantimet e ekipit të Maqedonisë për kapitullin 24, në grupin 1, “Vlerat themelore”, do të zgjasin deri më 24 nëntor dhe do të ofrojnë një bazë solide për përgatitjen e raportit të shqyrtimit që Komisioni Evropian do ta përgatisë dhe do t’ia dërgojë Këshillit të BE-së për veprime të mëtejshme, të cilat do të varen nga dinamika e negociatave në këtë kapitull, thuhet në kumtesën e SÇE-së.