Që sot hyjnë në fuqi masat për kursim të energjisë elektrike deri në 15 për qind, ndërsa me këtë fillon të vlejë edhe gjendja e jashtëzakonshme për energjinë elektrike dhe atë ngrohëse në Maqedoninë e Veriut.
Masat e kursimit të energjisë elektrike të miratuara nga Qeveria më 16 gusht do të vlejnë deri më 31 mars të vitit 2023, ndërsa gjendja e jashtëzakonshme e shpallur më 25 të këtij muaji duhet të zgjasë 30 ditë.
Sipas Qeverisë, vendi do të përballet me një nga dimrat më të vështirë energjetik dhe të gjithë duhet të kontribuojnë që të tejkalohet më lehtë.
Fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, fikja e llambave kur ka dritë të mjaftueshme, ftohja me kondicioner në jo më pak se 27 gradë Celsius dhe ngrohja në maksimum 20 gradë Celsius, fikja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, ndërrimi i rregullt i filtrave të njësive të ngrohjes dhe kondicionerëve, shtypja vetëm e materialeve të nevojshme, zëvendësimi i dritareve me efikasitet energjetik, janë vetëm një pjesë e detyrimeve që duhet të zbatojnë institucionet shtetërore.
Rekomandimet për sektorin e biznesit janë gjithashtu të ngjashme. Kurse amvisërive u rekomandohet të ndezin ngrohësin e ujit sipas nevojës dhe mundësisht me energji elektrike të lirë, të ndezin lavatriçet vetëm kur janë plot dhe gjithashtu me energji elektrike të lirë, përdorim të arsyeshëm të pajisjeve ngrohëse, përdorim maksimal të dritës së ditës dhe nxehtësisë nga dielli, fikja e llambave kur nuk qëndron në dhoma të caktuara, gatimi në pjata më të vogla ose në pjata të përshtatshme me madhësinë e pllakës së nxehtësisë, ajrosje e shkurtër dhe intensive e hapësirave.
Vendimet për ekzistimin e gjendjes së krizës në furnizimin me energji termike në zonën e qytetit të Shkupit dhe në furnizimin me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë marrë me propozim të Këshillit drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin në sistemin e menaxhimit të krizave./Telegrafi/