Analisti politik Sefer Selimi nëpërmes një shkrimi të gjatë në “Facebook” ka reaguar për përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në RMV.
Sipas Selimit një veprim i tillë është një precedent i rrezikshëm për rajonin në përgjithësi, e për shqiptarët në veçanti.
Sipas Selimit përfshirja direkte e VV në garë në një shtet tjetër dhe kjo mund të sjellë pasoja afatgjate, shkruan indeks.mk
Shkrimi i plotë:
Përfshirja e drejtpërdrejtë e VV në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në RMV është një precedent i rrezikshëm për rajonin në përgjithësi, e për shqiptarët në veçanti.
Mbështetja e tërthortë apo e drejtpërdrejtë e partive politike nuk është diçka e pazakontë, sepse bashkëpunimi në baza ideologjike politike organizohet mes tjerash brenda dy organizatave të mëdha politike EPP dhe PES.
Në këtë rast, VV përfshihet në garë në një shtet tjetër dhe kjo mund të sjellë pasoja afatgjate:
1. Shqiptarët nuk kanë praktikuar që krerët shtetërorë të AL dhe KS t’i ndajnë në baza partiake dhe bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm pavarësisht kush ka qenë në krye të tyre. Kjo praktikë tani po thyhet dhe rrezikon që të krijoj një përçarje të pariparushme për një kohë të gjatë.
2. Shqiptarët e RMV kanë politikë autentike dhe në bazë të kësaj politike kanë arritur të fitojnë të drejtat e tyre duke u bërë shtetformues dhe hisedar në RMV. Ka qenë kjo politikë autentike që shqiptarët i ka kthyer në partner të besueshëm me aleatët perëndimor dhe faktor stabiliteti në vend dhe rajon. Situata e re mund të krijoj probleme serioze dhe të lëkund këtë partneritet jetik për shqiptarët duke i bërë të perceptohen pa nevojë si faktor të destabiliteti. Në këtë situatë të sfidave globale gjeo-politike është një avanturë idioteske dhe naive për të cilën nuk kishim nevojë.
3. Kjo përfshirje është një vezë e artë për të gjitha forcat anti-demokratike dhe anti-europiane në vend. Kjo do të kthehet në një kalë beteje duke krijuar një narrativ etno-nacionalist që ju shkon përshtati para së gjithash atyre që angazhohen për ta zhbërë Kosovën. Një dhuratë për rritjen mëtejshme dhe legjitimimin e tyre.
Obsesioni i Kurtit për të qenë “lider i shqiptarëve” po kthehet në një forcë përçarëse dhe ironikisht e kthen atë në një politikan ordiner që nuk bën hesape përtej oreksit të tij politik. Rezultati në vota nga përfshirja e tij do të jetë i parëndësishëm për të bërë diferencë por dëmi i konsiderueshëm dhe me pasoja përtej “liderllëkut” të tij.


