Rruga Prizren-Tetovë, ndonëse është premtuar nga shumë qeveri në Kosovë se do të ndërtohet, punimet në realizimin e këtij projekti ende nuk kanë filluar. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit lokale, pati premtuar se ndërtimi i kësaj rruge do të përfundojë brenda 2-3 vitesh. Ai bashkë me kandidatin e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën, patën prezantuar edhe projektin.
Në një konferencë për media, kreu i ekzekutivit pati njoftuar se Qeveria e Kosovës e ka filluar realizimin e këtij projekti. Madje, pati thënë se e kanë ndarë buxhetin për herë të parë. Por, një gjë e tillë është mohuar nga kabineti i tij.
Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), nga e cila kanë konfirmuar se ende nuk i kanë siguruar mjetet për ndërtimin e kësaj rruge dhe se planifikojnë të kërkojnë fonde nga mekanizmat e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, të pyetur se kur pritet të nisin punimet, nga ky dikaster kanë thënë se është shumë herët të dihet kjo gjë, pasi “rruga në fjalë është ende në fazën e hershme”.
“Për rrugën në fjalë janë formuar dy komisione ndër shtetërore, komisioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i Republikës së Kosovës. Pra implementimi i këtij projekti është më kompleks sesa i projekteve të tjera që realizohen vetëm nga njëra palë. Për çdo hap nevojiten dakordimet në mes të dy Qeverive tona, e që afatet kohore varen edhe nga angazhimet e palës tjetër”.
“Rruga në fjalë është ende në fazën e hershme, fazën e përgatitjes së specifikacioneve teknike për fillimin e procedura të tenderimit të hartimit të projektit kryesor. Pra është shumë herët të dihet se kur do të fillojnë punimet në ndërtimin e rrugës. Dy qeveritë tona planifikojnë që së pari të kërkojnë fonde nga mekanizmat e Bashkimit Evropian në formë granteve apo kredive të buta, apo kombinime të të dyjave”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së, për Telegrafin.
Të pyetur se a kanë plan konkret për këtë projekt, nga kjo ministri kanë thënë se meqë është projekt i përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut – planet për realizimin e tij janë duke u koordinuar me këtë të fundit.
MMPHI nuk është në dijeni as sa pritet të kushtojë ndërtimi i rrugës, ani pse udhëheqësi i saj, Liburn Aliu, në një konferencë për media të mbajtur në fund të tetorit, pati thënë që ky projekt pritet të kushtojë mbi 150 milionë euro.
Në përgjigjen e ministrisë thuhet se “kostoja e ndërtimit të kësaj rruge do të përcaktohet pas hartimit të projektit kryesorë dhe pas kontraktimit të ndërtimit të rrugës”.
“Në fazat e më vonshme gjatë studimeve detaje (me rastin e hartimit të projektit kryesor) do të bëhen analiza më të detajuara për kostot e ndërtimit të rrugës dhe të strukturave dhe ndikimeve të tjera, kur bëhen llogaritje të sakta të sasive të punimeve”, thuhet më tej në përgjigjen e ministrisë.
Sa i përket gjerësisë së rrugës (shtresës së asfaltit), nga ky dikaster kanë njoftuar se pritet të jetë 6 metra, ndërsa gjatësia kanë thënë se ende nuk është e përcaktuar pasi që “ende nuk është hartuar projekti kryesor për implementimin e kësaj rruge”.
Në përgjigjen e tyre, nga ministria kanë përmendur edhe arsyet se pse ky projekt është i një rëndësie të madhe.
“Shkurtimi i rrugës më shumë se dyfishë (krahasuar më rrugët ekzistuese) për automjetet e zakonshme e sidomos për mjetet e rënda nga Tetova (Republika e Maqedonisë së Veriut) për në Republikën e Kosovë dhe Republikën e Shqipërisë e arsyeton koston e ndërtimit dhe shfrytëzimit të kësaj rruge meqë kthimi i përfitimit ekonomikë në shfrytëzimin e rrugës janë më të mëdha sesa kostoja e ndërtimit dhe e shfrytëzimit”.
“Numri i automjeteve që pritet ta frekuentojnë këtë rrugë deri në vitin 2043 (apo periudhës shfrytëzuese 25 vjeçare) është mesatarisht 7358 automjete mesatarja vjetore për ditë. Ndërsa, në vitin e parë të shfrytëzimit pritjet janë që rruga të frekuentohet nga më shumë se 4300 automjete mesatarja vjetore për ditë”.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
Kryeministrat dhe ministrat dikasterial patën nënshkruar Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë./Telegrafi/